Komisioni Evropian propozon modele të reja për përshpejtimin e anëtarësimit, mes presioneve gjeopolitike dhe skepticizmit të brendshëm
I nxitur nga shqetësimet gjeopolitike, debati aktual për zgjerimin e Bashkimit Evropian përqendrohet në kalimin nga një proces tradicional dhe i ngadaltë anëtarësimi drejt modeleve më të shpejta dhe fleksibile, të orientuara kryesisht drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës. Analistët deklarojnë për European Western Balkans (EWB) se i ashtuquajturi “integrim gradual” është një qasje realiste, pasi u mundëson vendeve kandidate të përfshihen në politika të caktuara të BE-së dhe në segmente të tregut të përbashkët, në bazë të performancës së tyre në reforma, përpara anëtarësimit të plotë. Megjithatë, ekziston shqetësimi se ky model nuk do të adresojë plotësisht urgjencën gjeopolitike për zgjerimin.
Adi Çerimagiç, analist i lartë në European Stability Initiative (ESI), thekson se debati për reformimin e procesit të anëtarësimit në BE u nxit nga kërkesa publike e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një datë konkrete dhe detyruese për anëtarësimin e Ukrainës.
“Kjo kërkesë pasqyron një problem më të thellë politik: rënien e besimit të Ukrainës se Bashkimi do ta realizojë zgjerimin. Ky skepticizëm forcohet nga bllokimet e përsëritura politike brenda BE-së, përfshirë ato nga liderë si Viktor Orban. Në të njëjtën kohë, Ukraina është ende larg përmbushjes së kritereve për anëtarësim dhe procesi varet nga vendime të shumta unanime të shteteve anëtare për shumë vite. Asnjë institucion i BE-së nuk mund të garantojë në mënyrë të besueshme një datë të shpejtë anëtarësimi. Presioni politik i krijuar nga kjo situatë ka shtyrë disa aktorë në Bruksel, përfshirë Komisionin Evropian, të shqyrtojnë reforma të mundshme të procesit të anëtarësimit”, thekson Çerimagiç.
Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit dhe anëtar i Balkans in Europe Policy Advisory Group (BiEPAG), vlerëson se diskutimet mbi opsionet e zgjerimit kanë konsumuar një pjesë të madhe të energjisë së debatit.
“Është e qartë se disa shtete anëtare janë skeptike ndaj zgjerimit pa ndryshime në traktate. Në të njëjtën kohë, edhe vendet që konsiderohen më të avancuara nuk janë veçanërisht bindëse në përpjekjet e tyre për reforma. Kështu, një pjesë e debatit duket se shërben për të shmangur këtë realitet”, thekson Bieber.
Tre opsione aktualisht në tryezë
Buletini i Euractiv raportoi së fundmi se Komisioni Evropian po shqyrton tre opsione kryesore për të ardhmen e politikës së zgjerimit. Sipas raportit, skenari i parë do të linte të pandryshuar sistemin aktual, opsioni i dytë parashikon “integrimin gradual”, ndërsa i treti është “integrimi i fazuar (i kundërt)”.
Fjona Merkaj, zyrtare projekti në European Liberal Forum, deklaron për EWB se brenda institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare po zhvillohen reflektime joformale.
“Sipas raportimeve të fundit, Komisioni Evropian u ka paraqitur ambasadorëve të BE-së tre opsione të përgjithshme. Opsioni i parë ruan modelin aktual të anëtarësimit, që kërkon përafrim të plotë me acquis para anëtarësimit. Opsioni i dytë propozon integrim gradual ose të fazuar, që u mundëson vendeve kandidate të marrin pjesë në politika, programe apo tregun e përbashkët përpara anëtarësimit të plotë. Opsioni i tretë sugjeron një proces politikisht të përshpejtuar, veçanërisht për Ukrainën, i shoqëruar potencialisht me monitorim pas anëtarësimit”, shpjegon Merkaj.
Benjamin Couteau, studiues në Institutin Jacques Delors, deklaron për EWB se “opsionet e paraqitura nuk kanë gjeneruar entuziazëm”.
“Disa kryeqytete reaguan me irritim dhe deri tani nuk ka përparim konkret. Një pjesë e problemit lidhet me kompetencat institucionale: disa qeveri besojnë se Komisioni Evropian po tejkalon rolin e tij, duke argumentuar se iniciativa të tilla duhet të vijnë kryesisht nga Presidenti i Këshillit Evropian”, thotë Couteau.
Në të njëjtën linjë, Çerimagiç thekson se disa ide të hedhura në debat kanë ngritur shqetësime, veçanërisht perceptimi se një kornizë e provuar e anëtarësimit mund të zëvendësohet me alternativa komplekse dhe të pa testuara.
“Si rezultat, një reformë radikale e procesit të anëtarësimit aktualisht duket pak e mundshme. Megjithatë, sfida politike mbetet. Qeveritë evropiane e kuptojnë rëndësinë strategjike të Ukrainës dhe arsyet e kërkesës së saj. Gjatë viteve të fundit, BE-ja është bërë mbështetësi më i fortë financiar, ushtarak dhe politik i Ukrainës. Ekziston gjithashtu ndërgjegjësimi se pritshmëritë e menaxhuara dobët mund të dëmtojnë procesin e reformave në Ukrainë dhe mbështetjen publike për zgjerimin brenda BE-së. Për këtë arsye, debati për qasje alternative ka të ngjarë të vazhdojë”, thekson ai.

A është “integrimi gradual” skenari më i realizueshëm?
Në një raport mbi strategjinë e zgjerimit të BE-së, të miratuar më 11 mars, deputetët e Parlamentit Evropian theksojnë se zgjerimi është një përgjigje strategjike ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe një investim thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së. Dokumenti, i hartuar nga Petras Austreviçius (Renew Europe), u bën thirrje institucioneve të BE-së të ruajnë ritmin e procesit dhe të heqin pengesat e brendshme, duke respektuar një procedurë të parashikueshme dhe të bazuar në meritë.
Raporti thekson se zgjerimi është “fitim për të dyja palët”, por duhet të shoqërohet me reforma të brendshme për të garantuar funksionimin e BE-së dhe për të përmirësuar vendimmarrjen.
Çerimagiç vlerëson se çdo model i ri duhet të marrë parasysh mësimet nga raundet e mëparshme të zgjerimit.
“Integrimi i kufizuar, instrumentet financiare të ngushta dhe shtyrja e vendimeve politike kanë dështuar vazhdimisht në marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Qasje të tilla kanë dobësuar reformatorët dhe kanë ngadalësuar konvergjencën me BE-në. Në të njëjtën kohë, përpjekjet për të anashkaluar kornizën ekzistuese nuk janë politikisht të pranueshme për shtetet anëtare. Një qasje më realiste është integrimi gradual, bazuar në modelin e përdorur për Islandën”, thekson ai.
Sipas tij, Ukraina mund të integrohet fillimisht në strukturat bazë të BE-së, si tregu i përbashkët dhe katër liritë, më pas në zona si Schengen dhe, në fund, në Eurozonë.
Ai shton se ky model mund të kombinohet me mbështetje financiare të shtuar dhe marrëveshje sigurie me grupe shtetesh anëtare, si dhe të adresojë shqetësime si presioni mbi sektorin bujqësor.
“Modele të ngjashme mund të zbatohen edhe për Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Zgjerimi do të bëhej një proces gradual dhe i besueshëm integrimi drejt anëtarësimit të plotë. Kjo qasje do t’i shërbente edhe interesave të BE-së, pasi integrimi ekonomik dhe ligjor i Ukrainës gjatë rindërtimit do të krijonte një mjedis të qëndrueshëm për investime evropiane”, shton ai.
Fjona Merkaj e konsideron integrimin gradual si opsionin më të realizueshëm, pasi balancon nevojën gjeopolitike për zgjerim me kërkesën për thellim të reformave të brendshme.
“Duke ofruar akses të hershëm në tregun e përbashkët ose në iniciativa si Marrëveshja e Gjelbër, BE-ja krijon një stimul që justifikon koston politike të reformave të vështira në vendet kandidate si Mali i Zi dhe Shqipëria. Ndryshe nga modeli ‘i kundërt’, që has rezistencë të fortë nga shtetet anëtare, integrimi i fazuar ruan standardet e BE-së dhe e bën procesin të menaxhueshëm”, thekson ajo.
Florian Bieber shton se forma të “anëtarësimit të lehtë” pa të drejta të plota nuk mund të jenë zgjidhje të përhershme.
“Alternativa e vetme është integrimi sektorial përpara anëtarësimit dhe përfshirja më e madhe e vendeve kandidate në konsultime. Duhet të mendohet gjithashtu për monitorim pas anëtarësimit dhe periudha tranzitore të bazuara në performancë”, thekson ai.
Benjamin Couteau vlerëson se integrimi gradual është opsioni me mbështetjen më të madhe politike, por nuk i përgjigjet plotësisht urgjencës gjeopolitike.
“Ky model ekziston tashmë në formë të kufizuar dhe i lejon BE-së të avancojë zgjerimin pa hyrë menjëherë në proceset e ndërlikuara të ratifikimit në 27 shtete. Ai mund të funksionojë për vende si Mali i Zi ose Shqipëria, por për Ukrainën ose Moldavinë mund të perceptohet si një fazë pritjeje”, shpjegon ai.
Sipas tij, ide më radikale si “integrimi i kundërt” janë refuzuar tashmë nga diplomatët, ndërsa procesi mbetet i kufizuar nga kërkesa për ratifikim unanim.
A mund të anëtarësohen njëkohësisht vendet e Ballkanit Perëndimor?
Në një opinion të përbashkët të publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kërkojnë përshpejtimin e integrimit në BE përmes përfshirjes graduale në tregun e brendshëm dhe zonën Schengen, por pa përfaqësim të plotë institucional dhe pa të drejtë vetoje.
Deri më tani, Komisioni Evropian nuk ka komentuar këtë propozim.
Franz-Lothar Altmann, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, thekson për EWB se në Gjermani ka pasur mbështetje për të ashtuquajturin “parimi i kolonës”, që parashikon pranimin e njëkohshëm të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, ai vlerëson se politikat aktuale të Serbisë dhe Republika Srpska e bëjnë këtë qasje problematike.
“Ky qëndrim bllokon përparimin e të gjithë rajonit dhe i mban vendet peng të politikave të Vuçiç dhe Dodik. Në opinionin publik gjerman shpesh bëhen krahasime me qëndrimet e Hungarisë dhe Sllovakisë”, thekson ai.
Altmann mbështet “parimin e regatës”, sipas të cilit vendet përparojnë individualisht. Ai thekson se Serbia nuk mund të avancojë pa një marrëveshje me Kosovën, ndërsa Bosnja e Hercegovina mbetet e bllokuar për shkak të politikave të Republika Srpska. Kosova, nga ana tjetër, nuk mund të marrë statusin e vendit kandidat pa njohjen nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Cila mund të jetë një ofertë alternative?
Gjatë debatit në Parlamentin Evropian më 10 mars, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se vendet që janë të ekspozuara ndaj ndikimit rus nuk mund të bëhen anëtare të BE-së.
“Nuk ka kuaj Troje. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtare. Duhet të jemi plotësisht të sigurt për këtë”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se insistimi në sundimin e ligjit forcon besueshmërinë e procesit të zgjerimit.
Altmann sugjeron se, për shkak të pasigurisë për anëtarësimin e plotë, duhet të rihapet debati për oferta alternative.
“Përfshirja më e thellë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në programet kryesore të BE-së dhe në fondet strukturore, në vend të vetëm fondeve IPA, mund të nxisë zhvillimin ekonomik dhe ndjenjën e përkatësisë”, thekson ai.
Sipas tij, kjo qasje do të krijonte një “rreth të jashtëm” të integrimit, duke mbrojtur BE-në nga paqëndrueshmëri të mundshme politike, deri në përmbushjen e kushteve të brendshme dhe ndërqeveritare.
Edhe Benjamin Couteau propozon krijimin e një statusi të ndërmjetëm për vendet kandidate.
“Ky status do të siguronte integrim të thellë politik, duke lënë më shumë kohë për përgatitje në fusha komplekse si tregu i përbashkët dhe Politika e Përbashkët Bujqësore. Edhe pse sfiduese, kjo mund të jetë një objektiv më realist deri në vitin 2027 për Ukrainën dhe vendet e tjera kandidate”, përfundon ai. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje