Eksperti i IT-së Gent Progni denoncon se peticioni online “Me Drejtësinë” i Partisë Mundësia kryen verifikim të të dhënave personale në prapaskenë, duke i krahasuar ato me një databazë ekzistuese. Sipas testimeve, sistemi refuzon të dhëna fiktive dhe pranon vetëm të dhëna reale, çka tregon përdorim të të dhënave për qëllime politike. Ligji nr. 124/2024 lejon përpunimin e të dhënave vetëm për qëllime të përcaktuara dhe transparente, ndërsa neni 110/b i Kodit Penal parashikon përgjegjësi penale për mbajtje ose përdorim të paligjshëm të databazave personale...
Një nismë e Partisë Mundësia, e drejtuar nga deputeti Agron Shehaj, ka hapur një konflikt serioz ligjor dhe politik mbi përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve. Bëhet fjalë për peticionin online “Me Drejtësinë”, një faqe që fton qytetarët të firmosin në mbështetje të reformës në drejtësi, por që sipas testimeve teknike nuk funksionon si një formular i thjeshtë vullneti qytetar.
Sipas denoncimit publik të ekspertit të IT-së Genti Progni, platforma kryen një verifikim të fshehtë të të dhënave të firmëtarëve. Kur në formular vendosen të dhëna fiktive, sistemi i refuzon me mesazhin “Të dhënat e firmëtarit nuk përkojnë”. Kur vendosen të dhëna reale, firma pranohet. Ky mekanizëm nuk përputhet me logjikën e një peticioni publik dhe sugjeron ekzistencën e një databaze reference në prapaskenë, me të cilën krahasohen të dhënat e qytetarëve.
Në terma teknikë, kjo nënkupton që të dhënat e futura nga përdoruesi nuk ruhen thjesht, por kontrollohen në kohë reale kundrejt një seti të dhënash ekzistuese në server. Një funksion i tillë kërkon patjetër një databazë paraprake me emra, mbiemra dhe numra telefoni. Pyetja thelbësore është se nga vjen kjo databazë dhe mbi çfarë baze ligjore përdoret.
Ligji nr. 124/2024 për mbrojtjen e të dhënave personale, që ka shfuqizuar ligjin e vjetër nr. 9887, vendos detyrime të qarta për çdo kontrollues të të dhënave. Përpunimi duhet të jetë i ligjshëm, transparent, i kufizuar në qëllim dhe i mbështetur në një bazë të vlefshme ligjore. Pëlqimi i qytetarit nuk mjafton, nëse të dhënat e tij krahasohen me një databazë të tretë, për ekzistencën e së cilës ai nuk informohet.
Në këtë rast, Partia Mundësia rezulton si kontrolluese e të dhënave, por nuk ka transparencë publike nëse është e regjistruar si e tillë pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, siç e kërkon ligji. Po ashtu, nuk ka asnjë sqarim mbi burimin e databazës që përdoret për verifikim. Dyshimet shkojnë nga rrjedhje të mundshme institucionale, përfshirë AKSHI-n, deri te burime private të lidhura me rrjete biznesi dhe media.
Neni 110/b i Kodit Penal parashikon qartë se mbajtja, përpunimi ose përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Përveç përgjegjësisë penale, ligji parashikon edhe sanksione administrative që mund të arrijnë deri në 2 miliardë lekë ose deri në 4 për qind të xhiros vjetore.
Rasti merr një dimension edhe më të rëndë politik për shkak të historikut. Genti Progni ka bërë publik se gjatë skandalit të databazës së patronazhistëve, vite më parë, i ishte drejtuar vetë Agron Shehajt, atëherë deputet i Partisë Demokratike, për ta ngritur çështjen publikisht. Sipas dëshmisë së tij, përgjigjja që mori ishte “po lodhesh kot”. Sot, i njëjti politikan akuzohet se përdor një mekanizëm të ngjashëm, këtë herë në emër të një force të re politike që pretendon se lufton sistemin e vjetër.
Kjo krijon një kontradiktë të fortë morale dhe politike. Një parti që ndërton diskursin e saj mbi ligjin, transparencën dhe luftën kundër abuzimit me pushtetin, nuk mund të justifikojë ekzistencën e një databaze të fshehtë që kontrollon firmat e qytetarëve. Nëse akuzat janë të vërteta, nuk kemi të bëjmë me një gabim teknik, por me një model të qëllimshëm përpunimi të të dhënave.
Çështja kërkon verifikim të menjëhershëm institucional. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të sqarojë nëse Partia Mundësia është e regjistruar si kontrolluese dhe çfarë databazash administron.
Postimi i Gent Prognit
Jepini, futeni edhe Agron Shehajn në burg ose më daktë, denigrojeni me këto lajme.