TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Korrik 2024, 18:54

Paranojat erdoganiste të Edi Ramës që prishin karrierat në PS

Shkruar nga Pamfleti
Paranojat erdoganiste të Edi Ramës që prishin karrierat në
Edi Rama /

Lëvizje manuale e sforcuar për të ruajtur disa ekuilibra të vjetra grupesh interesi, dhe ajo që është më e rëndësishme, ishin të pushtuara nga paranojat e një udhëheqësi tashmë autoritar dhe që ka grumbulluar të gjithë pushtetin në duart e tij...

Nëse Edi Rama do të bënte një rifreskim real të kabinetit qeveritar, do të duhet ta niste nga ministrat më të vjetër që janë aty që në mandatin e shkuar.

Duke bërë kështu një rokadë politike të eksponentëve politikë të PS-së, për të qarkulluar dhe përfaqësuar elitat dhe karrierat.

Por ajo që bëri sot nuk ishte gjë tjetër veçse një lëvizje manuale e sforcuar për të ruajtur disa ekuilibra të vjetra grupesh interesi, dhe ajo që është më e rëndësishme, ishin të pushtuara nga paranojat e një udhëheqësi tashmë autoritar dhe që ka grumbulluar të gjithë pushtetin në duart e tij.

Ta marrim nga rasti i kreut të Kuvendit. Ka shumë gjasa që shumë vëzhgues ta komentojnë largimin e Lindita Nikollës dhe emërimin e Elisa Spiropalit, si një çmim për luajalitetin e Mamicës ndaj Skëndërbeut.

Por duket se e vërteta është pak më ndryshe, pasi Lindita Nikolla nuk ka qenë asnjëherë jo luajale me Edi Ramën. Madje që në kohën kur ishte kryetare minibashkie e më tej, të gjithë karrierën politike në Partinë Socialiste e ka nga Edi Rama.

Nga ana tjetër, ka gjasa që kjo lëvizje nuk ka të bëjë as me rezultatin pozitiv në Shkodër që u arrit vjet në zgjedhjet lokale, ku Spiropali ishte kreu politik i qarkut. Nëse do të ishte kështu, atëherë Spiropali duhej të shpërblehej që në ndryshimet qeveritare të vitit të shkuar.

Gjasat janë që kryetarja e re e Kuvendit të dërgohet në jug të vendit, përkatësisht në qarkun Vlorë, aty ku ”pashai” real i zonës është kalorësi i fytyrës së vrerosur nga Tepelena, Gramoz Ruçi.

Njeriu që nuk është thjesht një politikan, por një grup interesi shumë i fuqishëm në mazhorancë, përkatësisht më i fuqishmi. Spiropali, siç dihet, ka lidhje të rëndësishme familjare me Gramoz Ruçin, dhe fuqizimi i saj, është një konsoludim i mëtejshëm i personit që sot ishte në krah të Edi Ramës në Kongres, edhe pse ka që në  vitin 2021 që ka shpallur largimin nga skena politike.

Shpotitë e Ramës në kongres me Vlorën, janë qartësisht shpoti me Ruçin, i cili ka nxitur për kryetar bashkie vëllain e dhëndrrit të tij.

Ndërkaq, lëvizja më e fortë ishte ajo e Taulant Ballës. Ministrit të Brendshëm, i cili për një periudhë 1 vjeçare pati shumë fat, dhe i eci përgjithësisht puna, duke konsoliduar edhe më shumë pushtetin e tij politik brenda dhe jashtë PS-së.

Balla, i njohur për aftësitë e tij interlekutore, arriti që të ketë shumë pak sulme personale poshtë brezit nga qarqe të fuqishme që hartojnë e shkaktojnë goditjet e forta personale.

Me një fjalë, Balla kishte të gjitha kredencialet për të vijuar punën e tij në krye të dikasterit më të rëndësishëm, e për ta përdorur si aset politik deri pak para zgjedhjeve, e ndoshta një ose 3 muaj përpara, mund të kishte komanduar një ekspert, për të krijuar një mjedis jo toksik me opozitën.

Po përse e shkarkoi, madje e uli në një rang mjaft inferior njeriun që u duk se po i zinte vendin e Gramoz Ruçit në PS?

Së pari, pikërisht ky aspekt, duket që ka krijuar mjaft armiq për Taulant Ballën, duke nisur nga vetë Ruçi, i cili nuk e shikonte pasardhësin e tij në një fuqizim politik të madh. Aq më shumë që vjen nga lobi i Fatos Nanos.

Ndërkaq, pika që derdhi gotën, duket se ka shërbyer vizita e fundit në Uashington e Taulant Ballës, i cili u prit mjaft mirë në Departamentin e Shtetit, ku mori edhe një medalje të rëndësishme.

Dekoratë, që e bërë nga një superfuqi politike siç është DASH, nuk është gjë tjetër, veçse një sinjal politik.

I cili e ka xhelozuar dhe futur në ankth sulltanin tonë, që përveç paranojave të tjera, i është fiksuar se amerikanët kanë bërë plan për ta hequr. E kështu ai po mundohet të dobësojë politikisht çdo amerikanofil në oborrin e tij.

Duke vijuar me Niko Peleshin, me të cilin ka pasur gjithmonë marrëdhënie ngriva-shkriva dhe nuk e ka mbajtur asnjëherë afër.

Caktimi në krye të grupit parlamentar që është pranë shpërbërjes, pasi do të qëndrojë vetëm disa muaj, ngaqë bëhen zgjedhjet e reja, është më shumë se degradim politik.

Nuk është çudi që caktimi në krye të grupit të vjetër, të ketë simbolikën e marrjes me vete të të gjithë atyre që janë gjenerata e vjetër, e ka gjasa që të mos e vëjë edhe në qarkun Korçë.

Emrat e rinj?

Të tre janë burokratë që kanë lëvizur sipas interesave të tij, e dikush i ka bërë edhe shërbime duke e furnizuar me informacione për ministrat ku ka shërbyer. Nuk është rastësi që të tre kanë qenë deri edhe shefa kabineti, pra dinë vese e të fshehta të njerëzve që Edi Rama vdes tua dijë skeletet që mbajnë në dollap. Për ti komentuar më pas me ndrikullat e tij në kabinet që i bëjnë gzzz- gzz si gjinkallat në këtë vapë të tmerrshme. Të cilat mund t’i vrasë lehtësisht me një pallaskë mizash./Pamfleti

paranoja edi rama prish karrierat partia socialiste

Lini një Përgjigje