TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Mars 2026, 10:40

Opozita në ankand: si po copëzohet vota anti-Rama nga sektarizmi, feja dhe krahinorizmi politik

Shkruar nga Pamfleti

 Opozita në ankand: si po copëzohet vota anti-Rama nga sektarizmi, feja

Ankaraja përgatit partinë e islamit politik, Athina ngre grupet satelite në Himarë e Dropull; modeli libanez i përfaqësimit sipas besimit rrezikon 100-vjetorin e shtetit laik shqiptar…

Modeli sektar dhe izolacionist që ka ndjekur Sali Berisha pas shpalljes "Non Grata" për rimarrjen e PD-së, duket se ka nxitur edhe grupe të fuqishme politike dhe financiare me ndikim, që synojnë të kapin thelat e kozmosit të elektoratit anti-Rama.

Eklipsimi që po i bën PD-ja e Sali Berishës të gjithë mjedisit të gjerë opozitar, duket po shërben edhe si një model, që në këtë mjedis të instalohen grupe të izoluara të ashtuquajtura identitare dhe populiste. E më pas, duke përdorur mjetet financiare dhe influencat në territor, për të kapur një cep të kësaj hapësire opozitare.

Shqipëria në periudhën e saj 34-vjeçare të pluralizmit, sado problematik dhe me defekte, ka krijuar një model, i cili konsiston në fenomenin e grupeve politike të tipit liberal, thelbësisht laik dhe të shpërndara në të gjithë territorin e vendit.

Por kriza e rëndë dhe e gjatë e një opozite popullore dhe gjithëpërfshirëse, ka hedhur në fushë modele të importuara nga jashtë, që duan të kenë influencën e vet në territorin politik.

Në këto tentativa, ka disa nisma, por dy prej tyre duken se janë më relevante, së paku nga influenca politike e jashtme dhe fuqia financiare.

Këto tentativa përqendrohen në nismën e mbështetur nga Turqia për të krijuar një grup politik solid fetar dhe jo sekular, i tipit klerikal; si dhe Greqia, e cila ka krijuar grupet satelite të tipit krahinoro-territorial që lidhen me objektivin politik të Athinës në raport me marrëdhëniet me Shqipërinë.

Këto tentativa, deri tani kanë qenë si lëvizje eksperimentale dhe ad-hoc, duke u përqendruar me promovimin e figurave të ndryshme në mediat e mëdha, duke përdorur fuqinë e parasë, ndërsa sot po aktivizohen dhe zyrtarizohen për t'u bërë gati si parti politike edhe formalisht.

Turqia, me anë të mediave të saj në Shqipëri, të cilat i mbështet edhe financiarisht, po bombardon këto ditë rrjetin me materiale propagandistike në lidhje me "të mirat" e Perandorisë Osmane. Një shtrat ideologjik i cili bashkohet edhe me aspektin fetaro-klerikal, siç ka ndodhur në Bosnjë me Stranke Demokratske Akcia, në Sanxhak të Serbisë me po të njëjtin formacion, e në Maqedoninë e Veriut me Besa-n dhe disa parti të dala prej saj.

Mediat erdoganiste në Tiranë, përveç klipeve pro-otomane, po publikojnë imazhe nga faljet e besimtarëve në xhaminë e madhe të ndërtuar nga Turqia.

Kjo parti, thuajse është gati dhe pritet që të zyrtarizohet së shpejti, ku variacionet e emrit po rrotullohen tek "Mirëqenie dhe Drejtësi" apo "Demokracia Shqiptare".

Synimi i ideologjisë së kësaj partie të re që pritet të zyrtarizohet, është rëndimi i tezave deri tani margjinale, që synojnë të bëjnë thirrje për përfaqësim politik sipas komuniteteve fetare.

Pra që kryeministri të jetë musliman, presidenti ortodoks dhe kryetari i parlamentit katolik. Një skemë e frikshme që e zbaton Libani i pas luftës civile të vitit 1980, që i vuri minat atij vendi që quhej "Parisi i Lindjes së Mesme".

Ky ligjërim, përkatësisht rëndimi i identitetit klerikal, përbën një prishje të traditës thuajse 100-vjeçare të politikës shqiptare, ku asnjëherë nuk ka pasur organizime me baza fetare apo edhe krahinore. Gjë që ka ardhur edhe nga një terren pjellor i cili u krijua nga rrjetet sociale dhe mediat digjitale, ku impakti apo zhurma bëhet nga lart poshtë nëpërmjet komunikimit të shpejtë në internet.

Ky grupim që kërkon ta institucionalizojë islamin politik, po merr modele të shtrembërta në rajon, duke nxitur dhe ushqyer ekstremizmin, fanatizmin dhe sulmin ndaj komuniteteve të tjera.

Në kontekstin e zhvillimeve aktuale, në mediat tona dalin personazhe që promovojnë islamin politik, duke sulmuar modelin laik dhe autoqefal të Rilindjes Kombëtare, si krijesë e Europës së Krishterë.

Nga ana tjetër, urrejtja, antisemitizmi çdo ditë po ushqehet si një mekanizëm polarizimi dhe rritje të ekstremizmit dhe mbylljes.

Përveç Ankarasë, edhe Athina pritet të bëjë këto ditë një lëvizje të fortë, që u shpall nga Fredi Beleri në rrjetet sociale.

Në Muzeun Kombëtar të Greqisë janë ftuar himariotët dhe ata që konsiderohen vorio-epirotë që të mblidhen për të përkujtuar gjeneralin e famshëm Spiridon Spiromilo.

I cili ka qenë në shekullin e 19-të një figurë e njohur e lëvizjes për pavarësi në Greqi, ku përveç të qenurit gjeneral, u emërua dhe ministër i Mbrojtjes në disa kabinete të qeverive të para greke.

Spiromiloja ishte nga krahina e Himarës, e cila deri në ndarjet administrative të kohës së komunizmit, ka qenë e përbashkët me Labërinë dhe përbënte 50 fshatra. Milajt kanë origjinë nga Progonati, por që më pas janë zhvendosur buzë detit.

Shoqata e himariotëve të SHBA-së me qendër në Nju Jork, që përfaqëson lobin e fuqishëm filogrek, mban emrin e Spiro Spiromilos dhe ka organizuar aktivitetin që do mbahet në qendër të Athinës.

Pas disa provave të aleancave me PD-në e Sali Berishës dhe Ilir Metës, Athina duket se po kërkon hapësirë në politikën shqiptare, kryesisht në krahinat që ata i quajnë "minoritet". Përkatësisht Dropulli, Finiqi dhe Himara, të cilat në zgjedhjet e 2027 pritet të ketë një sulm frontal financimesh e mbështetjeje për të fituar kryetarët e bashkive. Këto tre bashki janë të ngjitura me njëra-tjetrën, e nuk ka çudi që një ditë të bukur të formojnë një "Shoqatë" të përbashkët, e më pas të shpallin autonominë. Zaten, na ka ndodhur në 1914-ën. Të njëjtin flamur, Fredi Beleri dhe Omonia e tundin në të gjitha tubimet dhe manifestimet politike, sidomos në Himarë./Pamfleti

 

opozita në ankand vota anti rama sektarizmi feja krahinorizmi politik

4 Komente

  1. E
    E vërteta

    Mos përhapni panik kot se shumica e shqiptarëve janë jo fetarë. Parti të tilla nuk do funksionojnë në këtë vend.

    1. F
      Feti Dema

      Edi Rama dhe Spartak Ngjela ishin nismëtarët e krjimit të partisë Kristian- Islamiste. Ramiz Alia- Fatos Nano - Sali Berisha-Adil Çarçani me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët rreth tyre, sollën Janullatosin në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare. Po këta, lejuan që të hapeshin plotësisht kufijtë, mos të ngelej këtu asnjë krahë pune. Miçotaqi u shpreh publikisht se do ta plak Shqipërinë. Këta ishin arkitektët e hartimit dhe votimit të ligjit 7501 ku toka u nda sipas frymëve, u bë coptimi i mëtejshëm i tokës duke e ndar psh 1 ha tokë në tre parcela në vënde të ndryshme. U këmbëngul nga fashatarësia që të paktën atë që po ma jep me ligj ma jep te toka ime e trashëguar ose e blerë. Ky është ligj komunist dhe këta janë si Enveri përshpërisnin fshatarët dhe kush guxonte të fliste vihej në shënjestër, por edhe e tërhiqte polici zvarrë. Emigrantët shqiptar në Greqi e begatuan Greqinë rurale. Largimi i tyre e shkretoi Shqipërinë rurale. Ramiz Alia me kompani çarmatosi popullin , shkatërroi gjithë arsenalin mbrojtës të vëndit. E shitën, e vodhën, por qëllimi kryesor mesa duket ka qenë lënia e shqiptarëve me syt top kundër çdo përpjekje për aneksim të armiqëve traditcional të Kombit Shqiptar. Pa ushtar dhe pa armatim. Me qeveri kuislinge, që në rastin më të parë, për ti shpëtuar zemërimit popullor, shkojnë ose në Greqi, ose në Serbi, ose në Rusi ,ose në Iran, ose në Kinë. Strehohen te ata që ju kanë shërbyer.

      1. T
        Taulant Palla

        Nuk e di per pjesen e Greqise, por per Turqine dhe muslimanet shqiptare, ja ke futur kot! E gjitha nje genjeshter. Ndoshta per te balancuar shkrimin nga frika e Greqise.

        1. M
          M

          Brockulla. Percarjen (shperberjen) me te madhe Shqiperise dhe popullit shqiptar ja kane bere Berisha e Rama. I pari duke shkateruar shtetin e pronen dhe i dyti duke shkateruar moralin dhe vjedhjen pa fund.

          Lini një Përgjigje