TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Nëntor 2024, 08:03

Opozita i rikthehet normalitetit në Kuvend, diskutohet sot miratimi i buxhetit faktik i vitit 2023

Shkruar nga Pamfleti

Opozita i rikthehet normalitetit në Kuvend, diskutohet sot miratimi i

Opozita do t'i kthehet sot normalitetit në Parlament teksa kreu i grupit të PD Gazment Bardhi ka deklaruar se do të marrin pjesë në seanca plenare vetëm për buxhetin...

Kuvendi zhvillon sot seancë plenare, ku në rend të ditës është shqyrtimi i projektligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023”.

Kuvendi gjithashtu do të diskutojë edhe projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.

Gjithashtu, Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” i ndryshuar.

Ndërkohë që pritet edhe rikthimi i deputetëve të përjashtuar të PD në seancë, pasi Gjykata Administrative shpalli dje vendimin në lidhje me ankimimin e deputetëve mbi dënimin nga Këshilli i Etikës për periudha të ndryshme kohore, që variojnë nga 40 deri në 60 ditë.

Administrativja shfuqizoi masat disiplinore, ndërsa vendimi u dha me ekzekutim të përkohshëm, pra aplikohet menjëherë.

Mësohet se për deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati, është vendosur shfuqizim i pjesshëm duke lënë në fuqi përjashtimin me vetëm 10 ditë, pra nga data 3 deri me 13 tetor; ndërsa për deputetët e tjerë është lënë në fuqi përjashtimi me 5 ditë nga data 3 deri më datë 8 tetor.

Ndërkohë, pas këtijn vendimi, dy ditë më parë opozita paralajmëroi se do të jetë në Kuvend për të mbrojtur interesat e qytetarëve që lidhen me politikat financiare të qeverisë të parashikuara në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

“Të ikësh nga parlamenti do të thotë ndërprerje e mosbindjes civile dhe nga përballja me qeverinë”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi pas përfundimit të mbledhjes së deputetëve demokratë dy ditë më parë.

Bardhi ka bërë me dije se do të marrin pjesë në seancën plenare ku do të diskutohet buxheti. Sipas tij, kjo nuk do të thotë rikthim në një marrëdhënie të plotë normale me Kuvendin, por se opozita do të jetë përballë mazhorancës për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe pensionistëve.

“Ky është buxheti i fundit i kësaj qeverie të korruptuar kërkon angazhimin e deputetëve të opozitës. Për të shndërruar nga borxhi i oligarkëve në buxhetin e qytetarëve. Këtë rol mund ta luajnë vetëm deputetët e opozitës. Sepse deputetët e mazhorancës siç e kanë shfaqur këto 12 vite janë si kartonë për t’i shërbyer interesit të Edi Ramës pa pasur në vëmendje fermerët, pensionistët, bizneset. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do jetë i angazhuar në një përballje intensive me mazhoracën gjatë gjithë procesit të diskutimit të projektbuxhetit 2025. Opozita do të jetë aty për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe pensionistëve", tha Bardhi.

Kreu i grupit të PD-së u pyet nga gazetarët se për çfarë arsye u mor ky vendim, kur është e njëjta situatë si vitin e kaluar. Bardhi tha se në rastin konkret aksioni i opozitës për zgjedhje të lira dhe aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojë, por gjithashtu deputetët do të përmbushin edhe përgjegjësitë si përfaqësues të qytetarëve.

“Vitin e kaluar siç ju jeni dëshmitarë ne kishim shpallur vendimmarrje që nuk do ketë normalitet  pa u plotësuar kushtet që ne kishim shpallur. Në rastin konkret aksioni i opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojë. Por shtuar kësaj deputetët do të përmbushin përgjegjësitë e tyre si përfaqësues të qytetarëve. Prandaj dhe qëndrimi publik ne në raport me Kuvendin do të vendosim rast pas rasti. Kush ka menduar që opozita do të lërë terren Edi Ramës që të kalojë buxhetin e oligarkëve dhe jo të qytetarëve e ka gabim. Ne do jemi aty për të mbrojtur qytetarët”, tha ai.

 

opozita normalitet kuvend miratimi i buxhetit faktik

Lini një Përgjigje