
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka shpërthyer në akuza të forta për Policinë e Shtetit dhe lidhjeve të supozuara me kartelet kriminale.
Gjatë fjalës së tij, në komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Noka tha se Shqipëria është i vetmi vend që konsiderohet narkoshtet në Europë.
Më tej, Noka gjithashtu deklaroi se drejtorin dhe nëndrejtorin e Policisë së Shtetit nuk i cakton ligji por kartelet. Ilir Proda është vënë në detyrë nga Suel Çela u shpreh Noka.
“Drithëruese. Janë bërë përparime, po zonjë, sepse nga banda kriminale tani janë institucionalizuar kartele, dhe Shqipëria është i vetmi vend që konsiderohet narkoshtet në Europë. Ska nevojë për analiza, se dallon qartë sa është kontributi i Policisë së Shtetit në këtë sektor. Ne kemi një narkopolici.
Jemi i vetmi vend ku drejtorin dhe nëndrejtorin e Policisë së Shtetit nuk i ka caktuar ligji; jemi i vetmi vend që drejtorët e Policisë i përcaktojnë kartelet. Ilir Proda është emërtesë e Suel Çelës. Neritan Nallbati, nëndrejtori i krimit të organizuar, është emërtesë e kartelit Troplini”, tha Noka.
Sekretari i PD-së shtoi se flitet për pagesa mujore që zyrtarët marrin nga kartelet për t’u shërbyer.
“Po të dëgjoni, flitet për pagesa mujore që këta zotërinj marrin nga kartelet për t’u shërbyer. Nuk e kam për ju, zonja ministre; me policinë nuk keni punë, ju e ka kufizuar kryeministri punën, merruni me gjendjen civile, po flas për Policinë e Shtetit”, deklaroi ai.
Noka kritikoi gjithashtu ministren Koçiu për mungesën e vëmendjes ndaj krimeve zgjedhore gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se ajo nuk ka folur për këtë çështje gjatë raportimit. Ai tha gjithashtu se janë kartelet ata që vendosin për jetën e qytetarëve se kush do të jetoë apo kush do të vritet.
“Kartelet vendosin për jetën e qytetarëve, ata caktojnë kush do jetojë dhe kush do vritet. Tani unë do doja që zonja ministre të ishte pak e shqetësuar edhe për krimet zgjedhore, sepse kemi kaluar edhe një vit zgjedhor, por siç e dëgjuat, zonja ministre nuk belbësoi asnjë gjë për këtë”, tha Noka.
Lini një Përgjigje