TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Shkurt 2026, 18:21

Nis protesta e PD/ Militantët mblidhen para Kryeministrisë, priten sërish tensione (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Nis protesta e PD/ Militantët mblidhen para Kryeministrisë, priten
Nis grumbullimi i militantëve para Kryeministrisë

Organizatorët kanë zgjedhur një format marshimi në terren, me synim lëvizjen drejt institucioneve kryesore në kryeqytet...

Ka nisur protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike. Militantët janë mbledhur para Kryeministrisë, teksa atyre u është bashkuar dhe kreu Sali Berisha. Tubimi ka nisur me thirrjet “Rama ik”.

Kjo është protesta e katërt kombëtare e PD-së për vitin 2026, pas tubimeve të 24 janarit, 10 dhe 20 shkurtit. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë nuk është ngritur podium dhe nuk parashikohen fjalime nga drejtuesit politikë. PD ka instualur vetëm një foni, ku militantët orientohen si të veprojnë. 

Organizatorët kanë zgjedhur një format marshimi në terren, me synim lëvizjen drejt institucioneve kryesore në kryeqytet.

Grumbullimi fillestar po zhvillohet përpara Kryeministrisë, e cila është blinduar me gardh metalik si masë sigurie. Rreth 1500 forca policie janë vendosur në gatishmëri dhe janë shpërndarë pranë godinave të rëndësisë së veçantë. Në terren janë angazhuar edhe efektivët e Forcave “Shqiponja”, të pajisur me mjete parandaluese, përfshirë fikëse zjarri, duke pasur si referencë incidentet e regjistruara në protesta të mëparshme.

Sipas planit të bërë publik nga burime brenda opozitës, pas grumbullimit para Kryeministrisë, protestuesit pritet të marshojnë drejt disa institucioneve shtetërore, duke përjashtuar Kuvendin. Me gjasë, një nga ndalesat mund të jetë edhe selia e Partisë Socialiste, çka mund të sjellë bllokim të akseve kryesore të qarkullimit në Tiranë.

Më herët, Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta mund të zhvendoset edhe drejt selisë së PS-së, duke mos përjashtuar skenarë përshkallëzimi. Megjithatë, paraprakisht është konfirmuar se nuk do të ketë përdorim të mjeteve piroteknike.

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme, ndërsa zhvillimet në terren pritet të përcaktojnë edhe dinamikën e mëtejshme të protestës.

Lini një Përgjigje