Policia blindon institucionet, afro 1.500 efektivë në terren...
Partia Demokratike mban sot protestën e radhës në Tiranë, këtë herë në një format ndryshe nga tubimet e mëparshme. Pa miting qendror dhe pa fjalime nga drejtuesit politikë, protesta pritet të zhvillohet në formë marshimi nëpër institucionet kryesore të kryeqytetit.
Grumbullimi i protestuesve është parashikuar përpara godinës së Kryeministrisë, por ndryshe nga herët e tjera, nuk është ngritur podium dhe nuk është bërë publik një skenar i detajuar i organizimit. Sipas burimeve, qëllimi është që mesazhi politik të përcillet përmes lëvizjes në terren dhe jo përmes fjalimeve.
Pas mbledhjes fillestare, protestuesit pritet të marshojnë drejt disa institucioneve shtetërore. Me gjasë, një nga ndalesat mund të jetë edhe selia e Partisë Socialiste, çka mund të sjellë tensione dhe bllokim të akseve kryesore rrugore në kryeqytet. Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se protestat mund të zhvendosen edhe drejt selisë së PS-së, duke mos përjashtuar skenarë përshkallëzimi. Për këtë arsye janë vendosur forca policie pranë selisë socialiste.
Paraprakisht është konfirmuar se nuk do të ketë ndalesë pranë Kuvendit dhe nuk parashikohet përdorimi i mjeteve piroteknike.
Policia e Shtetit ka njoftuar se nuk do të garantojë mbarëvajtjen e protestës nëse cenohen institucionet, ndërsa rreth 1500 efektivë janë vendosur në gatishmëri. Forcat janë shpërndarë pranë godinave të rëndësisë së veçantë, përfshirë Kryeministrinë, e cila është blinduar me gardh metalik.
Njësitë “Shqiponja” janë pajisur me fikëse zjarri, si masë parandaluese, duke marrë në konsideratë incidentet e regjistruara në protestat e mëparshme.
Kjo është protesta e katërt kombëtare e organizuar nga PD për vitin 2026, pas tubimeve të 24 janarit, 10 dhe 20 shkurtit. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të parakohshme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje