
Deputetja demokrate Ina Zhupa, në nisje të protestës u shpreh se ideja e formatit të “Foltores së dytë” nuk ka qenë të mëshonte te pjesëmarrja, por te dhënia e mundësisë qytetarëve dhe deputetëve që në 10 seanca nuk patën mundësi që të diskutonin për hallet e qytetarëve.
“Ideja e këtij formati nuk ka qenë të mëshonte te pjesëmarrja, te numrat, siç janë protestat kombëtare, por ka qenë te dhënia e mundësisë qytetarëve dhe deputetëve që në 10 seanca nuk patën mundësi që të diskutonin për hallet e qytetarëve, në një tribunë parlamenti qytetar për të shprehur problemet e tyre dhe për të marrë vëmendjen mediatike. Sot, për shkak të korrupsionit kryelajmet ngelen lajmet e SPAK-ut dhe pak merr vëmendje situata e përmbytjeve, minatorëve apo mësuesve. Prandaj kemi zgjedhur foltoren”, tha Zhupa.
Kur u pyet se kur do të ndalojë protesta e opozitës, Zhupa u përgjigj: “Kemi zgjedhur ta mbajmë foltoren para Kryeministrisë dhe jo para ndonjë ministrie të caktuar sepse e keqja e madhe është Edi Rama. Foltorja nuk ka afat. Është e domosdoshme që qytetarët të kenë hapësirë për të folur, për të kthyer vëmendjen te çështjet e tyre dhe për të thënë se në këtë vend nuk ka ndjekje të interesit publik sa kohë në krye të qeverisë është Edi Rama”.
Lini një Përgjigje