Amerikanët duket se kanë nxirë thuajse të gjithë sektorët kryesorë të qeverisë shqiptare...
Qeveria Shqiptare mori një goditje të fortë dje nga Departamenti i Shtetit, i cili ngriti shumë problematika për klimën e investimeve. Ndonëse vendi ynë shihet me shumë potencial, keqqeverisja dhe korrupsioni i shfrenuar mbajnë larg investitorët.
“Pamfleti” po sjell fushat për të cilat amerikanët janë shumë të shqetësuar. Në krye të listës padyshim është korrupsioni thuajse në të gjithë sektorët. Më pas vijnë abuzimet me tenderët dhe ndryshimi i sistemit fiskal thuajse çdo vit.
“Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm, duke përfshirë në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri”, thuhet në raport.
Sipas amerikanëve emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar mungesa të fuqisë punëtore që ndikon në perspektivat e investimeve në shumë sektorë.
Problem shihet pastrimi i parave. Miliarda po hidhen në ndërtim dhe nuk dihet se ku është origjina.
“Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listën për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave”, thuhet aty.
Shuplaka më e fortë ka qenë te koncesionet. Qeveria ka dhënë me PPP rrugët, shërbimin shëndetësor, naftën dhe gjithçka tjetër. Për amerikanët, nuk ka monitorim të kontratave dhe analizat që bëjnë ekspertët e qeverisë janë shumë të dobëta.
“Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”, thuhet aty.
Tjetër problem janë pronat. Sipas DASH është sfidë marrja e titujve të pronësisë në Shqipëri.
Në fund amerikanët kanë dhe një mesazh për SPAK. Teksa vlerësojnë punë deri tani, ata kërkojnë më shumë. SHBA kërkon nga prokurorët specialë që të shkojnë te nivelet më të larta të politikës.
“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në fushën e konfiskimit të pasurive, megjithëse ka ende përparim për të bërë në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare për korrupsion të nivelit të lartë”, thekson raporti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje