TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Korrik 2023, 19:04

“Luftë” për vulën e PD/ Basha s’tërhiqet nga zgjedhjet, Bardhi i drejtohet gjykatës; akuza, sulme dhe përplasje mes palëve

Shkruar nga Pamfleti
“Luftë” për vulën e PD/ Basha s’tërhiqet
“Luftë” për vulën e PD

PD po zhytet nga dita në ditë në kaos total dhe janë 3 grupe që luftojnë për të marrë vulën e partisë...

Partia Demokratike duket se po zhytet nga dita në ditë në krizë. Dorëheqja e Bashës një vit më parë jo vetëm që nuk e lehtësoi situatën, por palët tani po “kacafyten” me njëra-tjetrën duke u ndarë në 4 palë.

Në një krah është Berisha me 10-15 deputetë pas vetes. Në krahun tjetër është Basha me 4-5 deputetë pas vetes. Përballë tij ka dalë Gazment Bardhi me 3-4 deputetë pas vetes. Ndërkohë kemi dhe një grupim asnjanës, që qëndron larg 3 grupimeve. Të gjithë flasin në emër të PD, në emër të grupit, të Këshillit, Kryesisë, etj., por në fund nuk merren vesh dhe secili ecën sipas interesit.

Ajo që ka nxehur gjakrat janë zgjedhjet që pritet të mbahen nesër. Kryesia e PD pak javë më parë vendosi që më 29 korrik të zgjidhet kryetari i ri. Skenari dukej i mirëmenduar, pasi do i hapej rruga Bashës të rikthehej në krye të partisë. Mirëpo doli në skenë fakti se ka një krisje Basha-Bardhi. Sekretari i Përgjithshëm ka dalë kundër procesit dhe sot ka pasur konflikte dhe përplasje të forta.

Pas mbledhjes së djeshme të “Këshillit Kombëtar” nga Bardhi, sot ky i fundit dhe deputetët pranë tij i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar që Basha të mos figurojë si kryetar në regjistrin e partive politike. “Askush nuk ka të drejtë që të privatizojë Partinë duke e kthyer atë në një parti private. Anëtarët e PD kanë vetëm një synim se si të forcojmë PD. Kemi dorëzuar një dosje me të gjitha vendimet që kemi marrë në Këshillin Kombëtar”, u shpreh për mediat Bledjon Nallbati.

Ndaj tij reagoi Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa. Ai ka ngritur një sërë akuzash ku deklaron se Bardhi dhe përkrahësit e tij po i shërbejnë interesave personale të Sali Berishës, teksa thekson edhe një herë se demokratët të shtunën do zgjedhin kryetarin e ri të Partisë Demokratike.

Atyre që braktisin forumet e PD dhe i shërbejnë interesave personale të Sali Berishes, i urojmë suksese në iniciativën për të dorëzuar në gjykatë vullnetin e mbledhjes se parë të Partisë së parë digjitale në Shqipëri. Nesër demokratët do të votojnë për kryetarin e ri të PD. Procesi legjitim i zgjedhjes së kryetarit do të pasohet me riorganizimin vital të Partisë, për ta bërë PD alternativë qeverisëse për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Sefa.

Më pas erdhi një reagim nga grupi i Bardhit, të cilët folën në emër të grupit parlamentar.  Sipas tyre, vendimi i anulimit të zgjedhjeve të 29 korrikut për kryetarin e ri të PD, është vendim i detyrueshëm për çdo anëtar të PD dhe çdo funksionar të saj.

Dje Këshilli Kombëtar i PD, organi më i lart vendimmarrës në PD, ka vendosur anulimin e datës 29 Korrik për zgjedhjet e kryetarit të PD. Ky vendim është i detyrueshëm për çdo anëtar të PD dhe për çdo funksionar të saj. Por nesër Lulzim Basha ka lajmëruar një akt përçarës të Partisë Demokratike. Interesi i demokratëve është lufta e të gjithëve bashkë, kundër Edi Ramës. Interesi i Lulzim Bashës po duket që është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal. Në vijim të ndërtimit të një partie personale, nesër sipas tij do të zgjidhet Kryetari i Partisë. Qartësisht ajo që po bën Lulzim Basha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike”, thuhet në reagim.

Por kjo deklaratë nuk u pranua nga deputetët krah Bashës. Oriola Pampuri dhe Kreshnik Çollaku i kërkuan Bardhit të mos flasë më në emër të grupit.

Nxitimi për të ndërmarrë hapa antistatutorë nuk ndihmon askënd, dhe nuk e legjitimon asnjë vendim. Kjo duhet të marrë fund. Individualisht deputetë të grupit mund të shprehin mendime e qëndrime, por të flitet në emër të grupit, pa pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve është e tepërt”, thanë ata.

Në fund ishte Jemin Gjana që vulosi se nesër do të ketë zgjedhje për kryetarin. Në një deklaratë për mediat, Gjana tha se procesi është legjitim, ndonëse një ditë më parë Këshilli vendosi anulimin e zgjedhjeve.

Ftesa ime për të gjithë demokratët është ti bashkëngjiten procesit të votimit. Ftesa është e hapur, legale, statutore, jo vetëm për ata që janë pjesë e listave të miratuara, por ftesa është e hapur për të gjithë demokratët që disponojnë dokumentet e anëtarësimit në PD, të cilët me testen e PD nuk kanë punuar për partitë e tjera politike, pjesa e rithemelimit nuk mund të bëhet pjesë, gjithë pjesa tjetër e demokratëve është e ftuar t’i bashkohet nesër procesit. Zhvillimet janë të forta, të bujshme, muajt e sotme janë të nxehtë, por muajt e vjeshtë s’do jenë akoma më të nxehtë. Duke e mbyllur këtë komunikim para hapjes së kutive të votimit, i ftoj të gjithë demokratët të bëhen pjesë e këtij votimi legjitim për garën për kreun e PD”, tha Gjana. /Pamfleti

pd vula sherr

Lini një Përgjigje