
Vijojnë përplasjet mes demokratëve. Deputetët Kreshnik Çollaku dhe Oriola Pampuri kanë bërë thirrje që të ndalet keqpërdorimi i deklaratave në emër të Grupit Parlamentar.
Grupi i Bardhit reagoi për zgjedhjet e nesërme duke folur në emër të grupit, por Çollaku shprehet se nuk duhet të ndodhë kjo gjë sepse nuk kanë rënë dakord pjesa më e4 madhe e deputetëve.
Gjithashtu ai shton se është fakt që për çështje të caktuara që lidhen me zgjedhjet në PD të ketë mendime të ndryshme, por thekson se është jo korrekte që në emër të grupit të dalin deklarata që nuk i përfaqësojnë të gjithë.
“Keqpërdorimi i deklaratave në emër të Grupit Parlamentar duhet të ndalet. Në Grupin Parlamentar bëjmë pjesë të gjithë deputetët e PD. Është fakt i njohur se brenda grupit për çështje te caktuara, që lidhen me zgjedhjet në PD ndajmë mendime e qëndrime te ndryshme. Është krejt normale që kolegët deputetë individualisht apo në grup nominalisht mund të shprehin qëndrimet e tyre. Është jo korrekte dhe jo etike që në emër të Grupit të dalin deklarata që nuk përfaqësojnë gjithë grupin e që për më tepër nuk janë as diskutuar me të gjithë grupin. Duke qenë se kjo po bëhet një sjellje rutinë e përsëritur, ju bëj apel kolegeve t’i bëjnë të tilla deklarata në emër personal dhe jo në emër të gjithë Grupit Parlamentar të PD, si kusht për të ruajtur respektin reciprok dhe kohezionin e Grupit”, shkruan ai.
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Oriola Pampuri, e cila si zëdhënëse e grupit parlamentar shprehet se askush nuk duhet të flasë në emër të grupit.
"Si Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të theksoj se: Deklarata në emër të grupit parlamentar, pa dijeninë anëtarëve të grupit nuk gëzojnë vërtetësi.
Nxitimin për të ndërmarrë hapa antistatutorë nuk ndihmon askënd, dhe nuk e legjitimon asnjë vendim. Kjo duhet të marrë fund. Individualisht deputetë të grupit mund të shprehin mendime e qëndrime, por të flitet në emër të grupit, pa pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve është e tepërt.
Nesër, Partia Demokratike ka zgjedhje dhe ky është një vendim i miratuar nga kryesia dhe këshilli kombëtar, mendimet dhe qëndrimet kundër mbajnë emër dhe mbiemër të çdo deputeti, por mllefet kolektive, nuk mund t'i atribuohen grupit parlamentar.
Partia Demokratike është e demokratëve, deputetët janë njerëz me dinjitet e integritet, dhe në asnjë moment nuk mund të shndërrohen në tabele qitje për të shfryrë mllefet e frustrimet e brendshme të askujt, apo për të mbrojtur interesat personalë të dikujt”, shprehet ajo.
Lini një Përgjigje