TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Prill 2026, 14:51

Nga pastrimi i parave te kampet e emigrantëve, Rama zbulon qëndrimin e Qeverisë; pse u favorizua 'motra' Meloni?

Shkruar nga Pamfleti
Nga pastrimi i parave te kampet e emigrantëve, Rama zbulon qëndrimin e
Rama me Melonin

Kryeministri shqiptar thekson se kërkesa ka ardhur edhe nga vende të tjera europiane, por modeli nuk do të përsëritet

Kryeministri Edi Rama deklaron se marrëveshja me Italinë për qendrat e pritjes së emigrantëve mbetet një rast i veçantë dhe nuk do të zgjerohet për vende të tjera europiane, pavarësisht interesit të shprehur.

Në një intervistë për Il Giornale, Rama konfirmon se pas vendimit të institucioneve europiane që i konsideruan të ligjshme këto qendra, disa shtete kanë kërkuar të ndjekin të njëjtin model. “Ka pasur kërkesa nga vende të tjera europiane, por dua të jem i qartë: kjo është një koncesion ekskluziv për Italinë. Marrëveshja me Romën nuk është e riprodhueshme,” deklaron ai.

Duke folur për marrëdhëniet me Italinë, Rama vlerëson bashkëpunimin me qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni, të cilën e përshkruan si të angazhuar me një vizion strategjik të qartë për raportet dypalëshe. Ai thekson se bashkëpunimi ka kaluar nga idetë në projekte konkrete, veçanërisht në sektorët e infrastrukturës, energjisë, mbrojtjes dhe shëndetësisë.

Në planin ekonomik, Rama sjell shembuj të zhvillimit të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit: prodhimi i brendshëm bruto është rritur nga më pak se 10 miliardë euro në 27 miliardë euro, ndërsa numri i turistëve ka arritur në rreth 8 milionë në vit. Investimet e huaja direkte janë rritur nga 400 milionë euro në mbi 1.5 miliardë euro.

Në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale, Rama përmend krijimin e një asistenti dixhital për qytetarët, i cili synohet të zgjerohet më tej për të përfshirë edhe menaxhimin e tenderëve publikë, me qëllim rritjen e transparencës dhe reduktimin e ndërhyrjes njerëzore.

Sa i përket perceptimit ndërkombëtar për Shqipërinë, ai kundërshton narrativat që e lidhin zhvillimin urban me kriminalitetin, duke theksuar se vendi është i sigurt dhe se institucionet po adresojnë seriozisht korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Shkrimi i plotë në Il Giornale

Të hysh në zyrën e Edi Ramës është një përvojë e papritur. Pas kontrolleve shumë të rrepta, ku dorëzon telefonin, orën dhe çdo send tjetër, kalon nëpër korridore ku mbretëron një heshtje pothuajse klaustrofobike. Porta hapet dhe skena ndryshon menjëherë. Në mure shfaqen njolla me ngjyra të kuqe, portokalli, të verdhë, jeshile, blu, vjollcë dhe rozë, që ndjekin njëra-tjetrën në forma të parregullta, pa hierarki, por me një harmoni të gjallë.

Një tjetër surprizë vjen menjëherë: një figurë imponuese, me fizikun e një ish-basketbollisti, e veshur me polo dhe pantallona të zeza, atlete të bardha. Për një moment ndihesh në siklet, por shikimi i tij i buzëqeshur të qetëson. Vëmendja të bie te një varëse me kravata shumëngjyrëshe dhe te tavolina e mbushur me stilolapsa e shkumësa. Për Ramën, djalë i një piktori dhe skulptori, arti dhe politika janë të ndërthurura ngushtë. Ulemi dhe ai rifillon të vizatojë.

Para takimit të së enjtes në Romë me Giorgia Melonin, ai e kishte quajtur atë në Instagram “motër”. Si shkoi takimi?

Edi Rama: Shumë mirë, si gjithmonë. Edhe një herë mora konfirmimin se kryeministrja juaj ka një vizion strategjik të qartë për marrëdhëniet mes vendeve tona, të cilave u kushton vëmendje të veçantë pavarësisht angazhimeve të shumta.

Keni verifikuar zbatimin e marrëveshjeve Itali–Shqipëri për emigrantët. Tani që qendrat janë shpallur të ligjshme edhe nga Europa, vende të tjera po e shohin këtë model?

Edi Rama: Pas vendimit për ligjshmërinë, kanë ardhur kërkesa edhe nga vende të tjera europiane. Por dua të jem i qartë: është një koncesion ekskluziv për Italinë. Marrëveshja me Romën nuk është e përsëritshme.

Ju keni qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës nga 2001 deri në 2011 dhe drejtoni vendin që nga viti 2013. Si ishte Shqipëria dje dhe si është sot?

Edi Rama: Kur e nisa këtë punë, PBB-ja e Shqipërisë ishte më pak se 10 miliardë euro. Sot është 27 miliardë euro. Kishim 2 milionë turistë, duke përfshirë edhe shqiptarët që ktheheshin nga udhëtimet. Sot turistët e vërtetë janë 8 milionë. Investimet e huaja direkte ishin 400 milionë euro. Sot janë mbi 1.5 miliardë euro.”

Si po ecën modernizimi institucional?

Edi Rama: Kemi përmirësuar drejtësinë përmes vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Ndarjen e karrierave, që ju e keni çuar në referendum, ne e kemi prej kohësh, si shumica e vendeve europiane. Kemi këshilla të ndara për gjyqtarët dhe prokurorët. Kur hartonim reformën, thoshim: nuk duhet të bëjmë gabimin e Italisë.

Po në shërbimet publike?

Edi Rama: Prej vitesh nuk bëhen më radhë për certifikata apo leje. Gjithçka bëhet përmes celularit dhe kompjuterit. Ende nuk kemi digjitalizuar martesat, gjurmët e gishtave dhe kadastrën, ku duhet të vendosim rregull pas shpërndarjes kaotike të pronave pas komunizmit. Përveç kadastrës, deri në 2028 do të kemi digjitalizuar gjithçka.

Ka tërhequr vëmendje emërimi i një ministri virtual, Diella, i krijuar nga inteligjenca artificiale. A ka ndihmuar?

Edi Rama: Ka ndihmuar shumë, sepse është asistenti dixhital i të gjithë shqiptarëve. Po përgatisim një version të ri: nuk do të ketë më nevojë të shkruhen kërkesat, do të mjaftojë të flitet përmes FaceTime dhe asistenti do të japë shërbimin.

A do të merret edhe me tenderët publikë?

Edi Rama: Po, jemi drejt realizimit të tenderëve të administruar nga inteligjenca artificiale, pa ndërhyrje njerëzore, pra më transparentë.”

Sa është forcuar marrëdhënia me Italinë?

Edi Rama: Të gjitha qeveritë italiane kanë qenë të hapura dhe respektuese. Por me këtë qeveri kemi kaluar nga idetë në projekte konkrete, në fusha si infrastruktura, energjia, mbrojtja dhe shëndetësia. Kemi marrëveshje me Fincantieri për ndërtimin e anijeve të vogla dhe të mesme për eksport. Kemi bashkëpunim të fortë edhe me Leonardo për mbrojtjen.

Transformimi urban me arkitektë të njohur bie ndesh me narrativat për kriminalitetin.

Edi Rama: Shqipëria është vend i sigurt. Kush vjen këtu e ndryshon menjëherë mendimin. Problemet me korrupsionin dhe pastrimin e parave po trajtohen seriozisht. Faza negative është lënë pas. Tani duhet të zbehim ‘helmin’ e disa narrativave që e lidhin zhvillimin me krimin.”

Investimet në ndërtim janë të gjurmueshme?

Edi Rama: Është absurde të quhen këto projekte shembuj të pastrimit të parave. Të gjitha transaksionet bëhen përmes bankave, kryesisht ndërkombëtare.”

Si e shihni situatën gjeopolitike?

Edi Rama: Është një moment delikat për demokracitë perëndimore. Mendoj se Trump mund të jetë një shtysë që Europa të zgjohet. Ai vë në dukje problemet, por zgjidhjet duhet t’i gjejë Europa.”

A po ndryshon cilësia e debatit politik?

Edi Rama: Problemi është komunikimi publik i politikës, që reflekton një krizë më të thellë. Rrjetet sociale kanë shkatërruar kufijtë e etikës dhe kanë krijuar një mjedis problematik. Është shqetësuese për të ardhmen.”

A do të ndalohen rrjetet sociale për të miturit?

Edi Rama: Nuk mund të ndalohen pa identifikim dhe përgjegjësi individuale. Nuk dihet kush fshihet pas profileve.”

Pse u rikthye TikTok pas bllokimit?

Edi Rama: Prisnim reagim të ashpër, por drejtuesit erdhën për dialog dhe bashkëpunim. Shqipëria është i vetmi vend që po i trajton këto çështje në këtë mënyrë me ta.”

Në fund, Rama ndalon për një moment, merr një fletë dhe dy lapsa me ngjyra dhe rifillon të vizatojë.

“Unë pikturoj gjithmonë, sepse është një aktivitet i ndarë nga të folurit: ndërsa flas, pikturoj.” /Përshtati Pamfleti/

 

edi rama italia kampe

Lini një Përgjigje