Edi Rama po përpiqet ta shesë lëkurën shtrenjtë. Por gjasat janë që amnistia që ai kërkon të mos ndodhë…
Deputetët e Partisë Demokratike duket se u gjendën të befasuar në protestën e së premtes, kur panë një rritje të agresivitetit të policisë ndaj tyre. Një agresivitet që ata janë në gjendje ta matin dhe ta analizojnë, sepse kanë krijuar tashmë një lloj eksperience të gjatë me sjelljen e policisë në përplasje të tilla.
Ishte i dukshëm një guxim i tepruar i forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të cilat këtë herë përdorën menjëherë sprejin djegës ndaj drejtuesve të PD-së. Në protestat e mëparshme kishin duruar edhe sharje, ndonjë shtyrje më të fortë, madje edhe ndonjë përplasje fizike. Këtë herë jo. Këtë herë i qorruan me spec djegës sapo u afruan.
Pas këtij agresiviteti, që deputetët e PD-së qartazi nuk e prisnin në këtë nivel, drejtuesit e opozitës iu vërsulën në media kreut të ri të policisë, Skënder Hita. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse ai është sot përgjegjësi kryesor i strukturës që zbatoi operacionin dhe, sipas të gjitha gjasave, e ndoqi edhe personalisht zhvillimin e tij në terren.
Megjithatë, urdhri për të rënduar dorën nuk duket se ka lindur te Skënder Hita. Ai duket se ka ardhur nga vetë Edi Rama. Dhe me këtë sjellje të dhunshme, Rama nuk po kërkon aq të trembë opozitën apo të zbusë radikalët e PD-së, sesa të japë një sinjal për ndërkombëtarët.
Sepse gjithnjë e më shumë krijohet bindja se në prapaskenë ka nisur një proces aktiv për të përgatitur fundin politik të Edi Ramës. Një proces që duket se ka fazat e veta, ritmin e vet dhe një kompleksitet zhvillimesh që nuk shfaqen të gjitha menjëherë në sipërfaqe.
I bindur se rruga që ka nisur nuk ka më kthim pas, Edi Rama duket se nuk po negocion më qëndrimin në pushtet, por mënyrën e largimit. Jo ikjen në vetvete, por formën e saj, që të jetë sa më pak traumatike për të dhe për rrethin e tij.
Negociata të tilla, në forma të ndryshme, i kanë tentuar edhe Sali Berisha me Ilir Metën. Por siç ndodh zakonisht në raste të tilla, kur tratativat zhvillohen në distancë dhe me sinjale, skenari nuk ecën gjithmonë sipas dëshirës së palëve. Ai pëson devijime, sepse secili përpiqet të fitojë sa më shumë terren.
Në këtë kuadër, Edi Rama po përpiqet t’u tregojë ndërkombëtarëve se ai është ende në gjendje të kontrollojë situatën dhe se nuk do ta lëshojë lehtë terrenin. Me pak fjalë, po bën të fortin, siç bëjnë shpesh autokratët në fund, të cilët largohen duke trashur edhe më shumë zullumin.
Edhe vizita në Romë, edhe pjesëmarrja në samitin e Spanjës, duken si pjesë e kësaj lëvizjeje. Rama po përpiqet të aktivizojë kontaktet e tij në Europë, me shpresën se dikush mund të ndërhyjë në ato qendra që, sipas zërave në mazhorancë, e kanë vendosur tashmë largimin e tij.
Po në këto qarqe thuhet se Edi Rama po dërgon sinjale të shpeshta se e ka vendosur largimin nga politika dhe se po përgatit edhe figurën që mund ta pasojë. Dhe si për koincidencë, emri më i përfolur si pasardhëse, Lea Ypi, ka dhënë një intervistë ku ka lëshuar një sinjal domethënës.
Në intervistën për revistën prestigjioze “Jacobin”, Lea Ypi flet për një alternativë të re të kozmopolitanizmit të majtë. Kjo është një ide që lexohet si distancim i qartë nga politika e Trump dhe nga e djathta ekstreme, pikërisht ajo hapësirë me të cilën Edi Rama ka flirtuar politikisht në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Dhe në atë kamp, krerët po bien njëri pas tjetrit. Me Orbanin, fundi duket tashmë i dukshëm.
Edi Rama po përpiqet ta shesë lëkurën shtrenjtë. Por gjasat janë që amnistia totale që ai kërkon të mos ndodhë./Pamfleti
Ish 'helikopteristi dhe vozitësi' në Dhërmi, Toni Bler - Protokëshilltari i qeverisë Rama, nuk ka si mos të mendojë për zëdhënësin e Edi Ramës, tash që po i bien poturet të dyve.