
Deputetja e PL-së, Erisa Xhixho ka reaguar ashpër për skandalin e radhës lidhur me specat e eksportuar nga Shqipëria në drejtim të Sllovenisë, të cilat janë bllokuar nga autoritetet sllovene, pasi kishin përmbajtje të lartë pesticidesh.
Xhixho thekson se siguria ushqimore në Shqipëri është nivele të ulëta dhe se produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen, janë prova më e qartë se shqiptarët nuk e dinë çfarë u vënë në tryezë fëmijëve të tyre.
"Shqipëria europiane që Rama u premtoi shqiptarëve jo vetëm që nuk garanton dot sigurinë e ushqimit që ata konsumojnë përditë, por po bëhet rrezik edhe për të tjerët", shkruan ajo në “Facebook”.
Deputetja ka renditur gjithashtu një sërë produktesh ushqimore të cilat kanë bllokuar brenda vitit nga shtetet fqinje, pasi kanë rezultuar me probleme të shumta dhe të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.
“Siguria ushqimore në Shqipëri është zero. Produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen, janë prova më e qartë se shqiptarët nuk e dinë çfarë u vënë në tryezë fëmijëve të tyre.
Shqipëria europiane që Rama u premtoi shqiptarëve jo vetëm që nuk garanton dot sigurinë e ushqimit që ata konsumojnë përditë, por po bëhet rrezik edhe për të tjerët.
Specat e bllokuar në Slloveni janë vetëm një tregues i papërgjegjshmërisë institucionale që kërcënon shëndetin e qytetarëve sa herë ulen në tryezë.
AKU mund të dalë prapë me deklarata për të “qetësuar” konsumatorin shqiptar, duke i thënë se “i kanë ngrënë të tjerët, mos u shqetësoni”, por e vërteta e hidhur është se raste të tilla tregojnë dështimin e tij si institucion.
Në më pak se një vit:
* Kroacia ka refuzuar eksportin e specave shqiptarë për shkak të niveleve të larta të pesticideve
* Mandarinat e kontaminuara që nuk u lejuan të hyjnë në BE, përfunduan në tregun vendas
* Luleshtrydhet u gjetën me pesticide të ndaluara
* Në tregun shqiptar u konstatua peshk me parazit Anisakis
* Mishi i derrit dhe i pulës rezultoi i kontaminuar me salmonelë
* Akulloret rezultuan me oksid etileni kancerogjen
* Kroacia bllokoi pjeshkët shqiptare për shkak të përmbajtjes së lartë të nikelit”, shkroi ajo.
Lini një Përgjigje