
Në mandatet e mëparshme, Babloku e prezantonte Qeverinë në muajin gusht, zakonisht në javën e tretë të tij, por siç duket në mandatin e 4 rradhazi si Kryeministër, vendosi të zgjasë edhe pak ankthin e atyre që janë momentalisht si ministra, edhe pse dy apo tre emrave ua ka çuar sinjalet me kohë për të liruar zyrat…
Edi Rama po përgatitet të shpalosë përbërjen e Qeverisë me të cilën do të nisë mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër.
Në 11 shtator pritet që Babloku t’i drejtohet anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së me një fjalim, ku natyrisht do të ‘suprizojë’ edhe ata që ka zgjedhur t’i ketë si anëtarët e kabinetit qeveritar.
Deri më tani askush nga kupola e PS-së nuk ka guxuar të hamendësojë se cilët mund të jenë emrat që do të përbëjnë Qeverinë Rama në mandatin e katërt, madje as vetë Babloku nuk ka preferuar të zbulojë detaje nga ajo që pritet ta shpalosë paraditen e 11 shtatorit, nga mjediset e ‘Xibrakës’.
E megjithatë ca sinjale lidhur me atë se çfarë pritet nga mandati i katërt i Bablokut tashmë janë dhënë. Vetë Rama ka zgjedhur t’i rikthehet kërcënimeve me burg, ndërsa si target ka vendosur ato që abuzojnë me ujin e rubinetave të çezmave.
‘Burg, burg, burg’ deklaronte më shumë se një dekadë më parë ndaj atyre që nuk paguanin energjinë ose e vidhnin atë dhe në qeli çoi jo pak varfanjakë që u trajtuan si ‘grabitësit më të mëdhenj të pasurive’ të vendit.
Të njëjtën skemë po përsërit edhe tani, por ndaj atyre që do të akuzohen si ‘hajdutë të ujit’. Dhe me burg kërcënohen edhe ata që parkojnë makinat dysh.
Dhe si për të shtuar presionin apo për ti dhënë peshë ‘kërcënimeve me burg’ janë edhe ato ndryshimet në Kodin e ri Penal, për të cilat si gjithmonë Babloku nuk di gjë as kush i ka propozuar, as kush i ka hartuar dhe as kush i ka renditur si nene ligjore, që nesër mund të shkojnë e miratohen në Kuvend.
Më pas flet për kontrollin e territorit, ku pas aksionit të shembjeve masive në Theth dhe sporadike në disa zona të tjera, Babloku ka premtuar se do të merret personalisht edhe me tavolinat dhe karriget që shtrihen në hapësirat publike. Dhe duke marrë rolin e një "brigadieri", Babloku ka gjetur edhe formulën: 1 pemë dhuratë për çdo karrige.
E paralelisht me këto kërcënime, që në jo pak raste kanë prodhuar humor në rrjetet sociale, mandati i katërt qeveritar i Bablokut gjithashtu po prodhon meme, ende ka nisur zyrtarisht.
Dhe gallatat në rrjet kanë të bëjnë pikërisht me atë që vetë Rama zgjodhi, zgjatjen e stërzgjatjen për të emëruar ata që do të ulen në postet ministrore.
Në mandatet e mëparshme, Babloku e prezantonte Qeverinë në muajin gusht, zakonisht në javën e tretë të tij, por siç duket në mandatin e 4 rradhazi si Kryeministër, vendosi të zgjasë edhe pak ankthin e atyre që janë momentalisht si ministra, edhe pse dy apo tre emrave ua ka çuar sinjalet me kohë për të liruar zyrat.
Dhe në kuadrin e këtyre memeve, Ramës iu propozua që Tërmetin e Tepelenës ta emëronte ministër, madje jo dosido, por t’i besonte Financat. Dhe pas tij të emëronte Agronin e “grupit të zjarrit të 21 janarit’ si ministër të Brendshëm.
Madje një propozim iu bë edhe për Zegjinenë që mundi Gazin në 11 maj në Fier, por ka dilema se kë Ministri mund t’i besojë, pasi ka sugjerime edhe për fushën e diplomacisë.
Por ajo që i vendos kapakun ‘memeve’ të paktën deri më tani është vetëofrimi i Noizy-t, si ministër i Kulturës. Këngëtari që u shfaq gjatë fushatën në krah të Edi Ramës, si një prej ‘strategëve’ në mbledhjen e votave, gjatë një interviste, tha se do të pranonte të bënte detyrën e ministrit të Kulturës, nëse Edi Rama do ia propozonte apo besonte.
Lini një Përgjigje