
Lirimi i hapësirave publike vijon në të gjitha qytetet e vendit. Ditën e sotme, forcat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, kanë shembur struktura që kanë zënë hapësirën publike.
Në videon e publikuar nga Kryeministri Rama në 'Facebook', shihen oborre të kateve të para nëpër pallate, që janë zaptuar nga banorët e zonës.
Duke shfrytëzuar hapësirën në katet e para të pallatit, banorët kishin bërë rrethim të territorit publik duke e përfshirë si oborr të banesës së tyre.
Forcat e IMT ndërhynë duke i shembur gardhet dhe rrethimet për të rikthyer hapësirën publike.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur që prej muajit korrik në të gjithë vendin. Fillimisht nisi me heqjen e strukturave metalike dhe çadrave të lokaleve që kishin zaptuar hapësirat publike.
Pas njoftimit të aksionit, disa pronarë biznesesh bënë çmontim vullnetar të strukturave, e për ata që nuk reaguan, ndërhyri IKMT duke i shembur.
Lini një Përgjigje