TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shtator 2025, 18:00

Mal i Zi në krizë identitare: Shqiptarët shënjestër e urrejtjes nacionaliste, autoritetet heshtin

Shkruar nga Pamfleti

Mal i Zi në krizë identitare: Shqiptarët shënjestër e

Ndërprerja e filmit ‘Roda’ të Isa Çosjes në mes të Podgoricës, është akt i organizuar dhunshëm ndaj identitetit shqiptar në Mal të Zi, dhe një provë e heshtur e krizës së multietnicitetit në këtë shtet ballkanik që ende nuk ka zgjedhur se kujt i përket…

Një ngjarje e rëndë, e heshtur nga institucionet, por që flet shumë për gjendjen reale të shqiptarëve në Mal të Zi ndodhi ditët e fundit në zemër të Podgoricës.

Gjatë shfaqjes së filmit “Roda” të regjisorit kosovar Isa Çosja, pjesë e festivalit të njohur kulturor “Džada Film Fest”, një grup individësh agresivë ndërhynë në mënyrë të papërshtatshme, duke e ndërprerë ngjarjen kulturore që promovonte një vepër artistike me përmbajtje shqiptare.

Ky akt, që nuk është parë as në ditët më të errëta të censurës ballkanike, u krye me arrogancë dhe pa asnjë ndalesë nga autoritetet lokale, duke treguar se nacionalizmi etnik, i fshehur nën petkun e qytetarisë malazeze, është më i gjallë se kurrë.

Reagimi i vetëm serioz erdhi nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, institucioni përfaqësues i shqiptarëve në Mal të Zi, i cili përmes një deklarate të nënshkruar nga kryetari Faik Nika, dënoi ashpër incidentin, duke e quajtur “plotësisht të papranueshëm dhe për çdo dënim”.

Në thelb të deklaratës fshihet një realitet i hidhur: shqiptarët në Mal të Zi nuk janë të lirë as të flasin gjuhën e tyre, as të shfaqin artin e tyre, dhe as të marrin pjesë në ngjarje publike pa u shënjestruar nga një valë gjithnjë e më e ashpër urrejtjeje etnike. Fakti që ndodhi një ndërprerje agresive e një filmi shqiptar në një festival zyrtar dhe në një shesh publik, flet qartë për përpjekjet për t’i zhdukur shqiptarët nga hapësira kulturore e shtetit malazez.

Por kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Në javët e fundit, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka denoncuar disa raste të tjera të gjuhës së urrejtjes, të cilat kanë shpërthyer në rrjetet sociale dhe në mediat online, sa herë që shqiptarët organizojnë ndonjë aktivitet kulturor, promovojnë libra, filma apo ngrejnë zërin për të drejtat kushtetuese që iu takojnë.

Në deklaratat e tyre, drejtuesit e Këshillit kanë rikujtuar se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në disa komuna, se shqiptarët janë shtetas me të drejta të plota dhe se ky lloj frikësimi është i rrezikshëm për vetë themelet e shtetit.

Sulmet ndaj gjuhës, artit dhe simboleve kulturore nuk janë incidente të rastësishme, por pjesë e një strategjie të qartë për të marginalizuar shqiptarët në emër të “mbrojtjes së rendit kombëtar”.

Rreziku është më i madh se sa duket. Në një vend të vogël si Mali i Zi, ku bashkëjetesa etnike është themeli i stabilitetit politik, lejimi i gjuhës së urrejtjes dhe injorimi i incidenteve të tilla krijon precedentë të rrezikshëm. Kur një film ndërpritet, nesër mund të ndalohen shkollat. Kur një festival bëhet objekt sulmi, nesër mund të përjashtohet gjuha shqipe nga hapësirat publike. Heshtja e autoriteteve nuk është neutralitet, është bashkëpunim me ata që kërkojnë spastrimin e heshtur kulturor të shqiptarëve në Mal të Zi.

Isa Çosja, regjisori që po promovonte filmin e tij “Roda”, nuk është thjesht artist, është simbol i një rrëfimi të tërë kombëtar, i një brezi që ka folur për realitetin shqiptar me mjeshtëri, dinjitet dhe guxim. Sulmi ndaj tij dhe veprës së tij është sulm ndaj çdo shqiptari që guxon të jetë vetvetja në një shtet që gjithnjë e më shumë i mban shqiptarët si të huaj në trojet e tyre.

Në këtë klimë, reagimi i Këshillit është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm. Ai duhet të mbështetet nga të gjitha partitë shqiptare, nga mediat shqiptare në rajon, nga institucionet ndërkombëtare që monitorojnë të drejtat e njeriut, dhe nga çdo zë që e quan veten mbrojtës të lirisë dhe barazisë.

Shqiptarët nuk do të frikësohen nga ata që duan t’u mbyllin gojën me zhurmues të rrugës. Filmat nuk mund të ndalen, kultura nuk censurohet, dhe identiteti nuk mund të zhduket me krisma urrejtjeje në festival./Pamfleti

mali i zi kriza identitare shenjestër e urrejtjes nacionaliste

Lini një Përgjigje