
Fakt është se kreu demokrat ka kushtëzuar zhvillimet brenda opozitës me ato në krahun tjetër
Edi Rama pritet të njoftojë më 11 shtator, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, përbërjen e Qeverisë së re. Kjo është pika kryesore e mbledhjes së forumit më të lartë drejtues të Partisë Socialiste dhe ndoshta pjesa më me interes gjatë fjalimit që do të mbajë Kryeministri.
Deri më tani, Rama ka preferuar të mbrojë në mënyrë hermetike emrat që do të jenë pjesë e Qeverisë në mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër, ndërsa herë pas here qarkullojnë ide se në cabinet mund të përfshihen edhe teknokratë nga rradhët e opozitës.
Kjo ide ka ngjitur, ose më saktë, ka nisur të besohet edhe në rradhët e opozitës, aq sa duket si një skemë e ngritur me kujdes që e ka futur partinë më të madhe opozitare, atë që drejtohet nga Sali Berisha, në një ngërç.
Pak ditë më parë, kreu demokrat u pyet se kur do të mblidhej grupi parlamentar i PD-së dhe kush do e drejtonte atë, ndërsa Berisha u përgjigj se mbledhja do të njoftohej shumë shpejt.
Në një kohë kur Kuvendi pritet të zhvillojë seancën e parë të legjislaturës së re brenda javës, PD mund të mblidhte deputetët e saj dhe të caktonte drejtimin e grupit. Por në fakt duket se Berisha është në pritje të zhvillimeve në kampin socialist.
Në varësi të emrave që do të emërojë Rama në Qeveri, Grupin e PS dhe në krye të Kuvendit, Berisha do të bëjë lëvizjen e tij, edhe pse kjo duket e pakuptimtë.
Askush nuk do e ndalonte Berishën që të mblidhte Grupin Parlamentar, qoftë edhe si një proces që do të shënonte fillimin e një analize për humbjen e 11 majit. Por duket se kreu demokrat ka kushtëzuar nisjen e zhvillimeve brenda partisë së tij me ato në krahun tjetër.
Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me atë se kush do të jetë pjesë e Qeverisë, por me atë se kush do të drejtojë Parlamentin dhe kush do të marrë drejtimin e Grupit të PS-së. Berisha e ka të qartë se asnjë nga ata që kanë mandat deputeti nga rradhët e PD-së sot nuk do të thirren nga Rama për t’u bërë pjesë e Qeverisë.
Pavarësisht se prej muajsh deklaron se nuk do të njohë rezultatin e 11 majit duke akuzuar Edi Ramën për blerje votash dhe deformim të vullnetit të zgjedhësve, Berisha si një ‘ujk i vjetër’ në politikë, duket se do të ruajë një raport komunikimi brenda Kuvendit, për zhvillimet e mëtejshme, veçanërisht ndryshimeve ligjore që mund të kërkojnë mbi 84 vota.
Pavarësisht se Edi Rama ka në Kuvend 83 mandate, pa përfshirë këtu 3 votat e PSD-së së Tom Doshit, do të ishte më komod sikur për ligje të veçanta, përfshi edhe Kodin e ri Penal, apo një Kod të ri Zgjedhor, të kishte votat e opozitës së Sali Berishës.
Ndaj nuk është çudi që të dy grupet parlamentare të udhëhiqen nga emra që nuk shquhen shumë për agresivitet politik, pavarësisht gjuhës që mund të përdorin liderët e partive respektive ndaj njëri-tjetrit.
Në fund të fundit, politika në Shqipëri ka treguar se pazaret nisin në Kuvend dhe mbyllen jashtë sallës së tij. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje