
Mbetet të shihet nëse këtë vjeshtë SPAK do të trokasë në dyert e të paprekshmëve që shijojnë milionat që kanë vënë nga korrupsioni...
Njësoj si ajo fjala e urtë popullore që “vapa ikën me gushtin”, ashtu po ndodh edhe sa i takon vapës politike. Dalëngadalë pushimet për ministrat e deputetët po mbarojnë dhe në javën e parë të shtatorit do të nisë vjeshta politike, vjeshtë e cila parashikohet të jetë shumë e ngjeshur këtë herë.
Gushti pritej i nxehtë, por nuk ndodhi kështu. SPAK nuk shkoi më shumë se ish-zv/ministri i Shëndetësisë dhe tani testi final për Altin Dumanin do të jetë vjeshta. Për pak muaj ai bën një vit në krye të SPAK dhe goditja më e bujshme ishte shpallja në kërkim e Arben Ahmetajt, ndërsa emra si Berisha apo Meta janë ende të lirë. Ndonëse ka disa dosje që po hetohen për ta, në fakt nuk po u hyn gjemb në këmbë. Për këtë arsye, kjo vjeshtë duket se do jetë një sfidë për SPAK.
Zhvillim tjetër i bujshëm janë padyshim ndryshimet në qeveri. Kryeministri Rama e paralajmëroi që në korrik se qeveria në shtator do të ridimensionohet. Kjo do të thotë se do të ketë jo vetëm shkarkime, por do ketë ndryshime në emërtime dhe formën e ministrive. Do ketë ministri që do ndahen dhe disa që do të bashkohen. Po ashtu, pritet që të marrin më shumë rol zv/ministrat dhe Sekretarët e Përgjithshëm. Sipas informacioneve, një pjesë shumë e madhe e ministrave aktualë do të ikin, sidomos ata që janë të rrezikuar nga drejtësia.
Një tjetër zhvillim është mandati i Olta Xhaçkës. PS arriti ta shpëtojë këtë verë duke e shtyrë deri në vjeshtë debatin. Pritet që në shtator opozita të rihapë çështjen. PS padyshim do e zvarrisë, por në fund nuk ka nga ja mban. Do jetë Kushtetuesja ajo që do vendosë nëse Xhaçka do të jetë apo jo deputete, pasi bashkëshorti i saj ka dalë investitor strategjik.
Një zhvillim tjetër janë zgjedhjet në Kukës. Më 24 shtator mbahen zgjedhjet në Kukës dhe duket se do jetë një test për opozitën dhe PS. Safet Gjici u kap në skandal seksual dhe mbetet të shihet nëse kuksianët do të hakmerren ndaj PS. Ndërkohë opozita është e përçarë dhe do shihet se si do të veprojë.
Kjo vjeshtë politike duket se do të risjellë në skenë dhe Lulzim Bashën. Ai mori kreun e PD dhe në shtator priten zhvillime. Basha do të thërrasë Kuvendin Kombëtar, ku parashikohen shkarkime dhe ndryshime në strukturat e PD. Mbetet të shihet edhe se si do të veprojë grupi i Bardhit.
Pra duket se do të jetë një vjeshtë mjaft e ngjeshur kjo e sivjetshmja. /Pamfleti
Lini një Përgjigje