TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shtator 2025, 20:16

Nga lufta në Ukrainë te situata në Gaza, Begaj: Shqipëria qëndron krah aleatëve, zgjidhja të bazohet te diplomacia!

Shkruar nga Pamfleti

Nga lufta në Ukrainë te situata në Gaza, Begaj: Shqipëria

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti të enjten fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një moment të veçantë për Shqipërinë që shënon 70-vjetorin e anëtarësimit në OKB. Në emisionin “Real Story” në ABC News Presidenti Bajram Begaj tha se ishte një mundësi të cilën e shfrytëzoi për të folur dhe drejtuar komunitetit shqiptar në gjuhën amtare.

-Hera e parë pas shumë dekadash, mendoj unë që në Asamblenë e Përgjithshme, flitet shqip. Pse e bëtë këtë zgjedhje?

Ishte një mundësi e mirë dhe e shfrytëzova për të folur dhe për t’iu drejtuar komunitetit shqiptar, në gjuhën amtare dhe fjala do të jetë në arkivën e OKB në gjuhën angleze në një nga gjashtë gjuhët e kombeve të bashkuara.

-Por megjithatë zgjedhja ishte e juaja, ju donit të flisnit shqip sot?

Zgjedhja ishte personale dhe doja që të flisja shqip.

-Në fjalën tuaj përmendët edhe shumë nga tema që shqetësojnë sot Kombet e Bashkuara, ku Shqipëria bën pjesë që në vitet 50, kemi luftën në Ukrainë, luftën në Lindjen e Mesme, situatën në Gaza, kërkojnë zgjidhje të cilat janë të vështira.

E drejtë, sesioni i 80 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, mbahet në një kohë sfidash sigurie, dhe zhvillimesh dinamike gjeopolitike. Lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, situata në Gaza janë çështje që kërkojnë zgjidhje të shpejta, të mençura që duhet të jenë të bazuara te diplomacia dhe jo te konflikti, jo te dhuna, jo te armët. Patjetër që Shqipëria qëndron krah partnerëve strategjikë dhe aleatëve mbetet e përkushtuar në politikën e saj të jashtme të linjëzuar me atë të BE, mbetet e përkushtuar në Kartën e OKB dhe në të drejtën ndërkombëtare, dhe mbështet shumë multilateralizmin dhe rendin e bazuar në rregull.

-Nëse flasim për konfliktin në Ukrainë, situata është e ndërlikuar, sidomos në zonën e Republikave Baltike, aty ku edhe Shqipëria ka edhe të dislokuara trupat e saj. Presidenti Trump, në takimin me Zelensky tha se vendet aleate të NATO-s, duhet të godasin avionët dhe dronët rusë që kalojnë vijën ajrore të Aleancës, ama kjo do të ishte një hap shumë afër një konflikti të ri dhe të armatosur, përtej Ukrainës.

Mendoj që deklarata, e Presidentit Trump është një deklaratë e duhur në momentin e duhur. Sa i përket luftës në Ukrainë, qëndrimi ynë si Shqipëri, ka qenë i qartë ne kemi dënuar që në fillim agresionin e padrejtë dhe të pajustifikuar rus në Ukrainë. Kemi mbështetur të drejtën e popullit të Ukrainës për t’u mbrojtur dhe për lirinë. Po ashtu kërkojmë që të ketë një llogaridhënie për këtë agresion rus dhe patjetër mbështesim çdo lloj zgjidhje diplomatike e cila është e udhëhequr nga SHBA dhe BE për të patur një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe të pranuar.

-Ne jemi të lidhur ngushtë në politikë të jashtme me SHBA, por ama shikojmë që herë pas herë SHBA kanë ndryshime të forta në qëndrimet e tyre sidomos me administratën Trump. Nga takimi Alaskës dolëm te ajo që Trump tha në takim me Zelensky ku doli në tezën që u habit edhe vetë Presidenti ukrainas, iu tha shkoni edhe më tej në terroritoret e pushtuara, na e shikoni këtë situatë pak delikate?

Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë i qartë në mbështetje të Ukrainës qoftë politikisht, diplomatikisht, qoftë ushtarakisht, dhe me asistencë humanitare. Patjetër që jetojmë në kohë sfidash të mëdha në kohë kur sfidat janë të shumëfishta, dhe këto situata kërkojnë një qasje të drejtë dhe të duhur bazuar në të drejtën ndërkombëtare siç është e drejta e popullit Ukrainës për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Gjatë kësaj kohe kemi vënë re që Rusia nuk ka një vullnet që duhet të çojë në një zgjidhje të duhur të këtij konflikti. Një vullnet i cili nuk është pranuar pavarësisht ndikimeve dhe takimeve të rëndësishme që janë kryer siç e përmendët edhe ju në Alaska dhe në kemi parë incidente si ai i Polonisë, incidente në Rumani, në Estoni apo së fundi në Danimarkë të cilat janë serioze, por mendoj që përgjigjja e unifikuar ka treguar aftësi nga aleanca dhe Polonia dhe vendet e tjera të prekura që kanë treguar vullnetin e duhur për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të Aleancës.

-Janë rrëzuar dronë, por nëse nesër rrëzohet një avion me pilot rus, sigurisht situata përkeqësohet. A jemi ne gati për një konflikt të tillë?

Ne mbështesim Ukrainën në këtë agresion të padrejtë dhe të pajustifikuar, mbështesim të drejtën e popullit të Ukrainës për liri dhe patjetër do të mbështesim në çdo situatë..

-Qoftë ai edhe artikulli 5

Patjetër që artikulli 5 është një artikull i cili është i detyrueshëm për çdo vend anëtar të NATO-s.

-Z.President, flasim pak për një situatë tjetër që sigurisht dominon, konflikti në Gaza dhe mënyrën se si disa vende të BE, përfshi edhe Britaninë e Madhe i janë përgjigjur duke e njohur shtetin e Palestinës. Ju thatë se Shqipëria është për mbrojtjen e Kartës së Kombeve të Bashkuara, mendoni se kjo gjë do i refuzohet Palestinës?

Shqipëria mbështet çdo zgjidhje politike, diplomatike dhe pajtuese në konfliktin në Lindjen e Mesme. Patjetër që çdo zgjidhje do të jetë e pranueshme nëse respektohet e drejta ndërkombëtare, dhe reciprociteti.

-Ne me Palestinën kemi një hall që na e ka zgjidhur koha e kaluar pasi regjimi komunist e njohu shtetin e Palestinës, pra le të themi teza e dy shteteve është një tezë që ne e kemi përkrahur dhe defakto dhe dejure e kemi zbatuar, por që nga ajo kohë të gjitha qeveritë fshihen pas faktit që ne e kemi njohur Palestinën, njohim tezën me dy shtete, gjejmë zgjidhje paqësore. Por ama kur vjen puna për të mbajtur një qëndrim nuk e mbajmë.

Qëndrimet e Shqipërisë kanë qenë të qarta. Kemi dënuar me forcë çdo lloj terrorizmi. Kemi dënuar terrorin e ushtruar nga Hamas ndaj Izraelit, kemi mbështetur të drejtën e Izraelit për vetë mbrojtje. Po ashtu nga ana tjetër kemi shprehur shqetësim për shkatërrimet, për viktimat dhe situatën humanitare në Gaza.

-Siç e thatë edhe ju situata është dualiste. Biem dakord që sulmet e shtatorit ishin sulme terroriste, sulmuan në pabesi civilë në koncert, rrëmbyen deri edhe foshnja. Vranë foshnja dhe tashmë jemi të gjithë dakord që Hamasi është një lëvizje terroriste dhe nuk duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemit. Ama 70 mijë të vrarë në Gaza, shumë prej tyre civilë, gra e fëmijë, kësaj çfarë emri t’i vëmë?

Lufta dhe konfliktet sjellin pasoja fatale por më së shumti prekin njerëzit e thjeshtë, do donim që lufta në Gaza të përfundonte, një armëpushim i qëndrueshëm me kthimin e gjithë pengjeve dhe me diskutime për zgjidhje diplomatike të situatës do ishte qëndrimi i duhur. Shqipëria ka dënuar dhe ka shpallur organizatë terroriste Hamasin, dhe po kështu krahun e ashtuquajtur ushtarak të Hezbollahut dhe ne jemi në favor të një zgjidhje diplomatike, një zgjidhje afat gjatë të qëndrueshme në të mirë të dy popujve.

- 6 a7 vende Perëndimore e njohën Palestinën këtë vit dhe vende që nuk do na kishte shkuar mendja kurrë, si Franca apo Britania e Madhe, por SHBA e quajti këtë një dëmtim të zgjidhjes ndërkohë që Izraeli e quajti sponsorizim të Hamas. Komenti juaj

Shqipëria është në favor të çdo zgjidhje diplomatike, politike dhe pajtuese në Lindjen e Mesme dhe patjetër që unë nuk mund të komentoj deklaratat nga SHBA dhe Izraeli, por ajo që mund të them është që një zgjidhje paqtuese në rajon do të ishte zgjidhja më e mirë.

-Ndërkohë këtu dëgjoheshin zhurmat e një demonstrate të madhe Pro Palestinë, vetëm 24 orë më parë edhe në Tiranë u mbajt një tjetër protestë e radhës. Ajo që shikoj unë dhe ndjej është që ka një sensibilitet në rritje, nga besimtarët myslimanë shqiptarë, por jo vetëm ndaj kësaj çështje. A mendoni që kjo në një moment të caktuar mund të vendosë autoritetet deri diku edhe përballë këtij opinioni?

Toleranca dhe harmonia fetare është një karakteristikë që na identifikon, është një vlerë që na përfaqëson dhe që duhet promovuar. Nuk dua ta fus në kontekstin fetar këtë situatë. Por ajo që unë mendoj është që autoritetet në qëndrimet e tyre kanë qenë, të linjëzuara në politikën e jashtme me interesin kombëtar të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje