Deputetë të Partisë Demokratike janë takuar me misionin e Parlamentit Europian, që zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, në kuadër të mbledhjes së fakteve mbi shqetësimet që më herët opozita kishte ngritur në Bruksel dhe Strasburg.
Misioni faktmbledhës i PE-së kryesohej nga David McAllister, një prej europarlamentarëve që u përpoq të zgjidhte edhe krizën politike të 2017-ës në Tiranë, përpjekje që me ndërhyrjen e SHBA-së në atë kohë, u finalizuan me marrëveshjen e famshme Rama-Basha. McAllister dhe 8 europarlamentarët janë mjaftuar me takimin me Gazment Bardhin, Jorida Tabakun dhe Albana Vokshin, duke shmangur një bisedë me kreun demokrat Sali Berisha, i cili nga momenti i shpalljes “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, është shmangur në çdo takim nga ndërkombëtarët që vizitojnë Shqipërinë.
Gjithsesi, përfaqësuesit e PD-së, sipas njoftimit zyrtar, i kanë renditur të gjitha akuzat dhe qëndrimet e tyre në raport me Kryeministrin Edi Rama.
Gjatë takimit me delegacionin e PE-së, përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të PD kanë shprehur vlerësimin e tyre për raportin e Parlamentit Europian mbi zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit, ku u konstatua mungesa e barazisë mes palëve në zgjedhje dhe ndërhyrja e krimit të organizuar në to. Sipas demokratëve, ky raport është një këmbanë alarmi për zgjedhjet në Shqipëri dhe është e domosdoshme jo thjeshtë që Parlamenti Europian ta ndjek këtë çështje, por edhe të konstatojë se pa një Qeveri Teknike që të garantojë mos ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje dhe të pengojë përfshirjen e krimit të organizuar në to, Shqipëria nuk mund të garantojë standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Deformimi i zgjedhjeve sjell pasoja të rënda në funksionimin demokratik të institucioneve në vend”, u shprehën përfaqësuesit e PD në takim.
Ata nënvizuan me shqetësim regresin që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në takim, demokratët ngritën si shqetësim rastin e zv.Kryeministres Belinda Balluku dhe mbrojtjen politike, që sipas tyre, po i bën mazhoranca asaj.
“Gjatë këtyre javëve Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë pengimi dhe sulmi ndaj institucioneve të drejtësisë, duke synuar intimidimin e tyre dhe pnegimin e hetimeve në raste konkrete”, u shprehën përfaqësuesit e opozitës në takim.
Në vijim ata theksuan se “propozimet ligjore për t’i dhënë më shumë imunitet zyrtarëve të korruptuar shkojnë në të kundër të kërkesës së BE për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”.
Një tjetër çështje e trajtuar nga përfaqësuesit e opozitës në takim është bashkëpunimi i qeverisë me krimin e organizuar, si dhe mungesa e luftës reale ndaj pastrimit të parave të krimit në Shqipëri.
Edhe pse Prokuroria e Posaçme ka goditur disa nga organizatat kriminale në vend, asnjë nga drejtuesit e këtyre organizatave nuk është arrestuar dhe vijon i qetë aktivitetin e tij kriminal, nën mbrojtjen e Qeverisë dhe Policisë së Shtetit.
Ata i garantuan eurodeputetët se opozita shqiptare mbetet e angazhuar dhe mbështet plotësisht procesin e integrimit europian të Shqipërisë, bazuar në arritje të matshme dhe meritokraci.
Lini një Përgjigje