Pas interest të lartë të gazetarëve që kanë kërkuar një qëndrim nga presidenti Bajram Begaj lidhur me vendimin e gjykatës Kushtetuese mbi pagat e gjyqtarëve, vjen një reagim nga Presidenca.
Në një reagim për mediat, Presidenca thotë “Presidenti i Republikës nuk mund të prononcohet për nisma ligjore. Shqyrtimi i tyre është kompetencë ekskluzive e Kuvendit. Presidenti e shpreh qendrimin e tij vetëm pasi nismat shndërrohen në ligj dhe vetëm në përputhje me kompetencën që ka për shpalljen e ligjeve.”
Reagimi i Presidencës vjen pasi PS propozoi ndryshimi në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, përmes së cilit synohet që gjykatat të mos mund të pezullojë nga detyra Presidentin, Kryeministrin, anëtarët e Këshillit të Ministrave, Avokatin e Popullit, Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Kjo lëvizje e socialistëve erdhi pasi Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën për rastin “Balluku” dhe gjyqtarët u ndanë 4 me 4 duke rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe duke mos e zgjidhur konfliktin e kompetencave mes qeverisë dhe GJKKO-së.
Projektndryshimi synon të riformulojë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke zgjeruar kategorinë e zyrtarëve që përjashtohen nga masa e pezullimit. Aktualisht, dispozita përcakton se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Sipas formulimit ekzistues KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242:
Është; “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Ndryshimi i propozuar shton në mënyrë të drejtpërdrejtë disa funksione kushtetuese në listën e përjashtimeve:
Si do të bëhet; “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.
Lista përfshin Presidentin e Republikës Bajram Begaj, Avokatin e Popullit Endrit Shabani, kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, si dhe anëtarët e qeverisë.
Nëse Kuvendi miraton ndryshimet, gjykatat nuk do të mund të vendosin masën e pezullimit ndaj këtyre funksioneve për rastet e ardhshme. Për rastet ekzistuese, ligji nuk ndryshon efektet e vendimeve të dhëna më parë.
Lini një Përgjigje