Zyrtari i lartë i BE theksoi nevojën për të ruajtur ritmin e reformave në këtë drejtim dhe i bëri thirrje klasës politike të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë.
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister i ka "tërhequr veshin" kryeministrit Edi Rama, teksa theksoi se politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi.
McAllister deklaroi se Shqipëria nuk ka arritur ende nivelin e duhur në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë një konference për mediat, zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian theksoi nevojën për të ruajtur ritmin e reformave në këtë drejtim dhe i bëri thirrje klasës politike të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë.
Ai nënvizoi se është e domosdoshme zbatimi i plotë i legjislacionit në fuqi, plotësimi i stafit në institucionet e drejtësisë dhe garantimi i pavarësisë së tyre nga ndikimi politik. Sipas tij, politikanët duhet të japin shembull me veprimet e tyre.
“Ekziston nevoja për të ruajtur forcën shtytëse në luftën kundër korrupsionit. Shumë është arritur në këtë fushë por nuk është në nivelin e kënaqshëm. Javën që shkoi doli raporti i TI, Shqipëria ka humbur 11 vende në renditje.
Është e nevojshme që të ketë një zbatim të plotë të legjislacionit, të ketë plotësim të stafit të strukturave të drejtësisë, të mos ketë ndërhyrje politike dhe duhet që politikanët të udhëheqin duke dhënë ata vetë shembullin”, tha McAllister.
Në lidhje me reformën zgjedhore, McAllister theksoi se ajo duhet të realizohet në kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe të jetë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe opozitën në proces.
Më tej, kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka përcjellë një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare, duke theksuar se procesi i integrimit kërkon angazhim më të madh dhe se “nuk ka vend për vetëkënaqje” në këtë fazë të negociatave.
Ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë, McAllister theksoi se progresi matet mbi bazën e përmbushjes së kritereve të Kopenhagës, duke lënë të kuptohet se vendi duhet të intensifikojë përpjekjet për të çuar përpara reformat.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për klimën e brendshme politike, duke vënë theksin te polarizimi dhe mungesa e dialogut. Sipas tij, stabiliteti politik është thelbësor për ecjen përpara të procesit integrues dhe kërkon angazhim nga të dyja palët.
“Nuk ka vend për vetëkënaqje, duhet të punojë edhe më fort për përfundimin e negociatave. Dua të përmend se integrimi në BE është proces që vlerësohet në këtë rrugëtim në bazë të përmbushjes së kritereve të Kopenhages. Jemi të shqetësuar sa i takon polarizimit politik. Mendojmë se duhet të ketë më shumë stabilitet e dialog politik në vend. Nga njëra anë shumica duhet të angazhojë në dialog opozitën, dhe opozita duhet të përfshihet në dialog. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në këtë demokraci funksionale“, tha McAllister.
Lini një Përgjigje