TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Nëntor 2024, 17:25

Nga caktimi i ambasadorit të ri te korrupsioni, si do të ndikojnë në Tiranë zgjedhjet në SHBA?

Shkruar nga Pamfleti

Nga caktimi i ambasadorit të ri te korrupsioni, si do të ndikojnë

Politika e Tiranës me sytë nga zgjedhjet në SHBA...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës votojnë sot për presidentin e ri. Padyshim zgjedhjet në SHBA ndiqen me interes në të gjithë botën, sidomos në Shqipëri. Por çfarë ndikimi do të kenë këto zgjedhje në vendin tonë?

Në përgjithësi politika amerikane për vendin tonë nuk ka ndryshuar, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë. SHBA e ka mbështetur Ballkanin dhe Shqipërinë me Kosovën që në vitin 1991 e deri më sot.

Por zgjedhjet atje mund sjellin disa zhvillime. Së pari, pritet të zhbllokohet ardhja e ambasadorit të ri.

Nëse fiton Trump, me shumë mundësi do të kemi një emër tjetër. Biden ka propozuar David Kostelançik. Por ky i fundit ka gati dy vite i bllokuar nga republikanët, të cilët nuk japin votën e tyre në Senat. Sinjalet janë se po priteshin zgjedhjet, pasi Trump kërkon një të besuarin e tij në vendin tonë.

Edhe nëse fiton Harris, sërish do të kemi një propozim të ri. Sipas ligjit amerikan, në çdo fillim viti zhbëhen kandidaturat dhe presidenti duhet të propozojë emrin e ri, qoftë atë që është, qoftë një tjetër. Biden vjet e nominoi për herë të dytë Kostelacik. Por nëse zgjidhet Harris presidente e ka ajo në dorë të vendosë dhe mund të propozjë emra nga radhët e saj.

Por në të dyja raste do të duhet të vendoset sërish nga Senati. Pra duhet të shohim se kush do ta marrë shumicën aty, për të zhbllokuar procesin. Sido që të vijë puna, me gjasë viti që vjen e gjen Tiranën me ambasador të ri nga SHBA, pas largimit të Yuri Kim.

Më pas, ka shumë rëndësi të shihet mbështetja për reformën në drejtësi. SHBA ka hedhur miliona dhe po ashtu po udhëzon dhe ndihmon SPAK në luftën kundër korrupsionit. Në të tilla raste politika e SHBA nuk para ndryshon, por nëse vjen Trump duhet të shohim se çdo të ndodhë.

Berisha, Meta dhe shumë deputetë të opozitës po shpresojnë të fitojë ai, me shpresën se do të ndikojë te drejtësia dhe ata t’ia hedhin paq. Berisha pret që t’i hiqet dhe non grata, por harron se ishte po administrata e Trump që ja kopsiti letrat dhe Blinken vetëm sa firmosi.

Por mund të ndodhë dhe e kundërta. Të mos harrojmë se ishte administrata Trump që futi para sistemin “non grata”. Në vitin 2018 u shpall i padëshiruar Adriatik Llalla dhe pas tij të tjerët. Pra, ardhja e tij mund t’i japë një tjetër hov luftës antikorrupsion.  

Megjithatë duhet të presim dhe të shohim, e kanë në dorë qytetarët amerikanë të vendosin se kush do të ketë në krye të Shtëpisë së Bardhë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje