TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Shkurt 2026, 11:04

Nga bllokimi i rrugëve te tensionet e pritshme; çfarë pritet nga protesta e opozitës, skenarët e mundshëm

Shkruar nga Pamfleti
Nga bllokimi i rrugëve te tensionet e pritshme; çfarë pritet
Protesta e PD-së e mbajtur më 24 janar

Organizatorët janë shprehur se protesta i takon qytetarëve, çka do të thotë se çdo sjellje ndaj protestës apo ecuria e saj, do të varet pikërisht nga vullneti i pjesëmarrësve në protestë...

Partia Demokratike dhe aleatët e saj organizojnë pasditen e së martës një protestë kombëtare kundër Qeverisë, ndërsa kërkohet largimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili po përballet me një seri skandalesh, por që forca e kartonëve në sallën e Kuvendit duket se i jep një “garanci të fortë” në aspektin e vendimmarrjes.

Kreu demokrat Sali Berisha ka artikuluar formën e një revolucioni paqësor, ndërsa policia ka paralajmëruar se mund të ketë tensione dhe i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos cënojnë rendin dhe sigurinë.

Protesta e sotme e opozitës pritet të jetë në formatin e zakonshëm, ku nga pika të ndryshme të Tiranës do të marshohet drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, atje ku një podium i improvizuar, në krah të Kryeministrisë do të shërbejë si foltore për të dhënë mesazhet dhe fjalimet. Godina e Këshillit të Ministrave, si në çdo protest ku jepen paralajmërime për tensione, është e blinduar me veshjet e posaçme që vendosen për të mbrojtur dyert qendrore nga flakadanë apo molotovë që mund të hidhen.

Pritet që protesta të zgjasë deri në orën 21:00, pra në formatin e zakonshëm prej 3 orësh, referuar faktit se pavarësisht njoftimeve për nisjen e saj në një orë fikse, ka gjithmonë vonesa që lidhen me mbledhjen e sa më shumë qytetarëve apo mbështetësve të opozitës. Gjithsesi as organizatorët dhe as Policia nuk kanë dhënë një afat se kur mund të mbyllet tubimi. 

Organizatorët janë shprehur se protesta i takon qytetarëve, çka do të thotë se çdo sjellje ndaj protestës apo ecuria e saj, do të varet pikërisht nga vullneti i pjesëmarrësve në protestë. Ajo çka synohet është që të qëndrohet sa më gjatë, pra një protestë që përtej pjesëmarrjes të ketë kohëzgjatje përtej normales, një formë që nuk është aplikuar shumë në Shqipëri

Natyrisht që gjithçka do të varet nga pjesëmarrja e të rinjve, që konsiderohen nga strukturat drejtuese të PD-së si katalizatorë të situatave. Ishin pikërisht ata që në protestën e 24 janarit hodhën molotovët dhe fishekzjarret në drejtim të godinës së Kryeministrisë, apo që regjistruan përplasjet me Policinë në afërsi të Parlamentit.

Dy javë më parë demokratët e konsideruan sjelljen e Policisë ndaj demonstruesve si jo proporcionale, ndërsa sot nuk përjashtohet mundësia që të ketë një kundërpërgjigje të ashpër, nëse policia do të përdorë të njëjtën skemë si ajo e 24 janarit, duke hedhur gaz lotsjellës pa kriter. 

Nga organizatorët flitet për disa forma reagimi, edhe pse këtë rradhë do të synohet që të shmangen incidentet me qëllim që qytetarët që do t'i bashkohen protestës të qëndrojnë sa më gjatë që të jetë e mundur. 

Në terren, Policia e Shtetit pritet të angazhojë mbi 1300 forca policore, përfshi edhe ato nga repartet speciale, por edhe efektivë të RENEA-s, që zakonsiht qëndrojnë në perimetrin e sigurisë së godinës qeveritare.

Peshën më të madhe pritet ta kenë efektivët e rolit bazë, që do të qëndrojnë në kordonet përgjatë Kryeministrisë, ndërsa ata të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponjat do të ndërhyjnë vetëm në rast të tensioneve apo përplasjeve.

Një numër jo i vogël efektivësh do të stacionohen pranë Kuvendit, atje ku zhvillohen edhe seancat plenare, duke i paraprirë një zhvendosjeje të turmës nga Kryeministria te Parlamenti, sikundër ndodhi në protestën e fundit.

Ashtu si edhe në protestat e kaluara, Policia pritet të përqëndrojë makinat me ujë, që përdoren për shpërndarjen e turmave, ndërsa një repart policor do të jetë i pajisur me bombula gazi apo sprai me piper, që do të përdoren për të shpërndarë turmat në rast të tensioneve.

Në kuadër të masave paraprake, Policia e Shtetit ka njoftuar se nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Gjithashtu në gadishmëri pritet të jenë edhe zjarrfikëset, një procedurë kjo standard në raste protestash.

Kryesisht mbështetësit e PD-së pritet të mblidhen në selinë e kësaj partie prej orës 16:00, nga ku do të nisen më pas në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë degët e PD-së në Tiranë kanë organizimet e tyre në funksion të mobilizimit të anëtarëve apo militantëve.

Ashtu si edhe në protestën e kaluar, peshën kryesore të protestës pritet ta mbajë Tirana, Durrësi dhe Elbasani, ndërsa dhjetra mbështetës të opozitës në qytete të ndryshme janë organizuar nga degët dhe deputetët për të udhëtuar drejt kryeqytetit.

Sipas informacioneve nga PD, protesta e sotme, ashtu si edhe ajo e organizuar rreth 2 javë më parë, ka si qëllim të tregojë forcën e opozitës në aspektin e mbështetjes. Duket se këto protesta, por edhe ajo që pritet të mbahet në 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, janë një lloj testimi për opozitën dhe mbështetësit e saj për të kaluar më pas në një format të ri.

Janë disa ide që qarkullojnë mes opozitarëve, që nisin me bllokimin e akseve kryesore rrugore, një format i aplikuar edhe më parë, deri te ngujimi para godinës së Kryeministrisë, edhe kjo një formë e aplikuar në 2017-ën, kur Lulzim Basha, si kryetari de jure i PD-së, vendosi atë që e quajti “çadra e lirisë” dhe e mbajti për rreth 3 muaj, deri në arritjen e një marrëveshjeje me Edi Ramën.

Së fundmi mes demokratëve po diskutohet organizimi i protestave të ngjashme me ato në Greqi, ku do i kërkohet fermerëve që të bllokojnë akset rrugore me mjetet e tyre bujqësore, një ide kjo e hedhur edhe gjatë një takimi të zhvilluar në dy ditët e fundit me banorë të Divjakës. Synimi i demokratëve dhe aleatëve të tyre është që të paralizojnë sa më gjatë normalitetin, si një formë të mosbindjes civile, ndaj asaj që e konsiderojnë si regjimi i Edi Ramës.  /Pamfleti/

 

protesta pd masat skenaret

Lini një Përgjigje