Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka kritikuar ndryshimet e fundit në Kodin Penal, ku tha se ato cenojnë drejtpërdrejt funksionimin e reformës në drejtësi dhe dobësojnë rolin e prokurorisë në zbardhjen e çështjeve penale.
Lapaj u ndal te ndryshimi i nenit që lidhet me bashkëpunëtorët e drejtësisë. Sipas tij, ligji i ri i ka hequr prokurorit mundësinë për të lidhur marrëveshje me persona nën hetim, të cilët mund të ndihmojnë në zbërthimin e skemave korruptive.
Lapaj argumentoi se më herët sistemi i drejtësisë parashikonte ulje dënimi ose lehtësira të tjera për individët që pranonin të bashkëpunonin dhe të jepnin informacion të vlefshëm për hetimet.
Me ndryshimet e fundit, kjo mundësi është hequr, duke eliminuar një instrument hetimor që, sipas tij, ka pasur rol të rëndësishëm në zbulimin e veprave penale.
Sipas kreut të “Shqipëria Bëhet”, ky ndryshim ligjor synon të dekurajojë personat e përfshirë në çështje penale nga bashkëpunimi me organet e drejtësisë, pasi ata nuk kanë më asnjë stimul ligjor për të folur ose për të ndihmuar hetimin.
Ai theksoi se kufizimi i kësaj mundësie i heq prokurorisë një mjet thelbësor për të çuar përpara hetimet komplekse dhe për të identifikuar përgjegjësit kryesorë në skema të organizuara.
“Nuk është kapur një fakt shumë i rëndë që ka ndodhur me ndryshimet në Kodin Penal.Ai ka ndryshuar nenin që bën fjalë për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Pra ata që gjatë rrugës bëhen pishman dhe kërkojnë bashkëpunimin me organet e drejtësisë, dhe në këmbim të asaj të përfitojnë ulje dënimi apo përjashtim nga dënimi i rëndë, këta e kanë shfuqizuar me ndryshimet e fundit. Pse e kanë bërë? E kanë bërë që të gjithë këta që po arrestohen dhe po merren nën hetim të mos flasin më sepse nëse deri dje josheshin nga drejtësia me qasjen që po fole, po bashkëpunove do përjashtohesh apo do të ulet dënimi, tashmë s’e kanë më sepse e hoqën këta me ligj.
Është atentat që i është bërë realisht reformës në drejtësi. Atentat shumë i rëndë. S’e t’i heqësh prokurorit mundësinë që të joshë me marrëveshje një prej personave nën hetim, do të thotë që ti të vrasësh bashkëpunëtorin e mundshëm që mund ta zbërthejë skemën”, -tha Lapaj në A2Cnn.
Lini një Përgjigje