
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën para mbështetësve në nisje të Foltores së PD, duke i bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë vazhdimisht kundër qeverisë, të cilën e cilësoi si të paligjshme dhe pa legjitimitet.
“Protestoni këtu çdo të hënë, dhe jo vetëm, për veten tuaj, familjen tuaj, por jeni zëdhënës të mbarë shqiptarëve, të të gjithë qytetarëve të lirë. Në këtë aspekt, jeni frymëzim për çdo shqiptar”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, arsyet e protestës janë të shumta, pasi qeveria ka humbur çdo legjitimitet politik dhe moral. Berisha theksoi se protesta përfaqëson zërin e të gjithë shqiptarëve.
“Motivet e protestës sot janë të pafundme. Qeveria ka humbur çdo legjitimitet, ajo është frut i farsës elektorale, i shkëmbimit mbi vullnetin dhe votën tuaj”, u shpreh kreu i PD.
Berisha hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës, duke e lidhur atë me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
“Frut i krimit monstruoz të përmasave evropiane dhe botërore, karteleve më të zeza të drogës”, tha ai, duke shtuar se 'kjo qeveri vjedh qytetarët nga mëngjesi në darkë'.
Kreu i opozitës e cilësoi protestën si të ligjshme dhe të domosdoshme.
“Protesta është e ligjshme ndaj një qeverie që duhet shporrur një ditë e më parë”, deklaroi Berisha, duke theksuar se gjatë 13 viteve të qeverisjes, shqiptarët janë varfëruar edhe më tej.
“Në 13 vite, shqiptarët janë qytetarët me pensionet më të ulëta në rajon. Gjysma e tyre janë në varfëri ose në rrezik varfërie”, tha Berisha, duke akuzuar qeverinë se po shkreton vendin dhe po largon shqiptarët nga Shqipëria.
Një tjetër fokus i fjalës së tij ishte procesi i integrimit evropian. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bllokon rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian për të mbrojtur, sipas tij, korrupsionin.
“Rama ka vendosur t’i presë Shqipërisë rrugën e Evropës, t’i mbyllë dyert e Evropës”, u shpreh ai, duke iu referuar edhe një takimi të fundit në Bruksel. Sipas Berishës, kërkesat e partnerëve evropianë lidhen me forcimin e shtetit ligjor, heqjen e imuniteteve dhe ndëshkimin e korrupsionit.
“Integrimin e mirëpresim, por drejtësinë nuk e njohim”, tha Berisha, duke e cilësuar këtë si mesazhin që, sipas tij, qeveria shqiptare i ka përcjellë Bashkimit Evropian.
Foltorja e PD para Kryeministrisë shënon vijimin e aksionit opozitar, ndërsa Berisha paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Ik ore plak matuf se i lodhe njerzit me traplliqe. Kur ishe ti i kishin Shqiptaret pensionet me te lartat ne rajon e tani si kane. ??Ca flet o rrjedhur.