TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Prill 2024, 17:24

Në Greqi ringjallet e djathta ekstreme, cilat mund të jenë pasojat

Shkruar nga Georgios Samaras
Në Greqi ringjallet e djathta ekstreme, cilat mund të jenë
Kyryakos Velopoulos /

Velopoulos po shfaqet tani si një figurë politike e fortë, duke e konsoliduar me sukses pushtetin midis fraksioneve të ndryshme brenda spektrit të ekstremit të djathtë, duke maskuar njëkohësisht pikëpamjet e tij dhe duke i shkaktuar jo pak dëme si Demokracisë së Re në krye të qeverisjes por edhe opozitës...

Ndërsa po afrohen zgjedhjet për në Parlamentin Evropian, disa sondazhe po tregojnë një rritje të dukshme të mbështetjes për partinë Zgjidhja Greke me udhëheqësin e saj Kyriakos Velopoulos që po tërheq votues si nga partisë e tjera të së djathtës radikale Niki dhe nga Spartanët.

Rritja e ekstremit të djathtë në Greqi ka qenë shumë e spikatur që nga viti 2012, dhe përqindja rekord për 3 partitë që morën një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 mund të vazhdojë edhe në zgjedhjet evropiane të qershorit.

Megjithatë, aksidenti i rëndë hekurudhor në Tempi vitin e kaluar, paraqet një mundësi tjetër të mundshme që mund të rrisë më tej mbështetjen për Velopoulos. Më 28 mars lideri i Zgjidhjes Greke, bëri një paraqitje mbresëlënëse në parlamentin grek, duke mbajtur një fjalim plot pasion gjatë diskutimit të një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë.

Fjalimi i tij i zjarrtë u lëvdua jo vetëm nga qarqet dhe mediat e ekstremit të djathtë, por pati  vlerësime të mëdha edhe nga gazetarë të njohur të krahut të majtë. Në mediat sociale është bërë virale videoja e fjalimit të tij.

Ndërkohë mediat pranë Velopoulos kanë promovuar në mënyrë strategjike segmente të zgjedhura të atij fjalimi, të cilat më pas janë transmetuar në shumicën e mediave kryesore në vend. Kjo përpjekje e përbashkët e ka përforcuar dhe bërë shumë publik fjalimin e tij në parlamentin grek.

Kjo nuk ndodhi vetëm për shkak të emocionalitetit të përcjellë në atë fjalim, që nënvizoi humbjen personale të liderit në atë aksident, por edhe kritika e pamëshirshme drejtuar kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Pavarësisht akuzave të qeverisë ndaj SYRIZA-s dhe PASOK-ut për shfrytëzimin e këtij aksidenti fatkeq, në fund të ditës mund të jetë Velopulos ai që mund të përfitojë më shumë nga situata.

Në dallim nga qëndrimi relativisht i qetë i partive të tjera të ekstremit të djathtë, Zgjidhja Greke ka luajtur një rol strategjik në mocionin e mosbesimit. Velopoulos u rreshtua me bllokun e majtë në kritikat e tyre ndaj qeverisë, por iu shmang mbështetjes së vetë mocionit.

Në vend të kësaj, ai u distancua nga procedurat, dhe e përdori fjalimin e tij si një platformë për të kundërshtuar me vendosmëri Mitsotakis, duke e etiketuar atë si figurën kryesore përgjegjëse për mbulimin e pretenduar të skandalit që fshihet pas atij aksidenti të tmerrshëm.

Kjo nënkupton një ndryshim të dukshëm brenda së djathtës ekstreme greke, pasi rritja në sondazhe e Velopulos duket se i ka rrënjët në 3 zhvillime kryesore: Spartanët po i nënshtrohen shpërbërjes së brendshme, Niki ka adoptuar një qasje dukshëm të nënshtruar që nga sigurimi i vendeve të saj të para në parlamentin grek.

Dhe ndoshta më e rëndësishmja: Demokracia e Re po përballet me mosmarrëveshje të brendshme, një prirje e theksuar nga anketuesit veteranë të “Metron Analysis & Marc” në sondazhin e tyre publikuar në mes të muajit mars.

Një shqyrtim në detaje i sondazheve të fundit të muajit të kaluar, zbulon se Zgjidhja Greke mbetet pas PASOK-ut dhe SYRIZA-s në disa raste me më pak se 3 për qind. Por në asnjë sondazh të ri të publikuar javët e fundit pas zbulimeve të fundit në lidhje me ngjarjen në Tempi, nuk do të ishte befasuese nëse Zgjidhja greke vazhdon të ngushtojë hendekun.

Për më tepër, një tjetër sondazh nga OPEN në fillim të marsit ka zbuluar mbështetje të fortë për retorikën e Zgjidhjes Greke, veçanërisht në lidhje me qëndrimin e partisë kundër projektligjit për martesën brenda të njëjtës gjini, duke e pozicionuar atë si partinë e tretë më me ndikim pas Demokracisë së Re dhe SYRIZA-s.

Një faktor jetik që duhet pasur parasysh, janë të metat e dukshme metodologjike të anketuesve grekë, të cilët e kanë nënvlerësuar vazhdimisht ndikimin e së djathtës ekstreme gjatë dekadës së fundit, me përjashtim të zgjedhjeve parlamentare të korrikut të vitit 2019.

E shoqëruar me një pjesëmarrje zakonisht të ulët dhe në rënie, e cila ka qenë një tendencë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian që nga viti 2009, Velopoulos do të përfitojë më tej nga një bllok më pak koheziv i krahut të majtë dhe nga një qeveri që përballet me kritika mbi mënyrën e trajtimit të tragjedisë së Tempit.

Zgjidhja Greke duket se po fiton një mbështetje të konsiderueshme midis votuesve të krahut të djathtë, një tendencë kjo kryesisht e anashkaluar nga media dhe sidomos nga qeveria, e cila vazhdon të fokusohet në sulmin e së majtës.

Pavarësisht se sa mirë del partia në zgjedhjet e ardhshme të BE-së, mund të argumentohet se më pak se 5 vjet pas kolapsit elektoral të Agimit të Artë, ka një ringjallje të dukshme brenda së djathtës ekstreme, e karakterizuar nga një gjallëri e re.

Përqendrimi i kësaj partie tek aksidenti hekurudhor në Tempi, duket se po forcon pozitat e Velopulos, pasi ai pati përkohësisht një qasje më të përmbajtur brenda ekstremit të djathtë grek, duke e moderuar retorikën haptazi ksenofobike dhe kundër emigrantëve.

Nëpërmjet këtij ndryshimi, Velopoulos po shfaqet tani si një figurë politike e fortë, duke e konsoliduar me sukses pushtetin midis fraksioneve të ndryshme brenda spektrit të ekstremit të djathtë, duke maskuar njëkohësisht pikëpamjet e tij dhe duke i shkaktuar jo pak dëme si Demokracisë së Re në krye të qeverisjes por edhe opozitës./Përshtati Pamfleti nga “Kathimerini”

Shënim: Dr.Georgios Samaras, ndihmës/profesor i politikave publike në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

e djathta ekstreme greqia athina pasojat

Lini një Përgjigje