
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj tha se sa më i korruptuar është shteti, aq më shumë ligje prodhon.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, teksa ka folur për personat e përfshirë në dosjen e pajisjeve të sterilizimit në shëndetësi, Gjekmarkaj ka ironizuar duke thënë se “sterilizim” do të thotë të pastrosh xhepat e shqiptarëve nga çdo qindarkë.
“Leksikologu, Ilir Beqja, morfologu Ilir Rrapaj, gramaticieni Ilir Rrjepsi dhe të tjerë po i shpjegojnë njerëzisë se “sterilizim” do të thotë të pastrosh xhepat e shqiptarëve nga çdo qindarkë.
Ata kanë ngrënë kaq shumë dardha, kumbulla e fiq, sa po ju shkon barku mbi tryezat e shqiptarëve, por nuk shohim askund as përgjegjësi politike e as morale”, tha ai.
Deputeti i PD shtoi se sistemi politik në vend është i ngritur për të pasur nëpërmjet korrupsionit dhe të korruptuarve gjithçka nën kontroll edhe votën e cila blihet po me paranë e vjedhur publike.
“Sot korrupsioni është armiku kryesor i Shqipërisë. Koncesionet dhe PPP-të ngërdheshja e tij. Ai rritet në oborrin e Qeverisë. Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit na mëson Sami Frashëri. Shënojeni!”, përfundoi Gjekmarkaj.
Lini një Përgjigje