TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Prill 2024, 15:38

SPAK alarmon pushtetarët/ 575 zyrtarë dhe politikanë nën hetim, mbi 1400 telefona drejtorësh e funksionarësh në përgjim

Shkruar nga Pamfleti
SPAK alarmon pushtetarët/ 575 zyrtarë dhe politikanë nën
Dosjet e SPAK

Sipas raportit, për vitin 2023, Prokuroria e Posaçme ka hetuar në total 750 procedime penale...

Dosjet në Prokurorinë e Posaçme duket se janë bërë “mal”. Altin Dumani në takimin që pati me zyrtarin e DASH pak ditë më parë i tregoi se si janë vendosur dosjet në tavolina e në korridore, teksa sot janë mësuar të dhënat e sakta mbi numrin e atyre dosjeve.

Dumani prezantoi në KLP punë e viti që lamë pas, teksa “Pamfleti” ka siguruar raportin vjetor me të dhënat përkatëse.

Sipas raportit, për vitin 2023, Prokuroria e Posaçme ka hetuar në total 750 procedime penale (mbartur + regjistruar), nga të cilat 451 procedime penale janë mbartur nga viti 2022, ndërsa 299 procedime të reja janë regjistruar në vitin 2023.

Nga numri total i procedimeve penale prej 750, për 42 procedime është vendosur bashkimi i tyre me procedime të tjera. Pas bashkimit të procedimeve penale, numri total i çështjeve të hetuara nga Prokuroria e Posaçme për këtë vit është 708 procedime, me 575 persona nën hetim, për veprat penale në fushën e korrupsionit, në fushën e krimit të organizuar dhe vepra të tjera penale në kompetencë të saj, siç janë veprat me qëllime terroriste, veprat penale të korrupsionit zgjedhor, etj”, thekson SPAK.

SPAK alarmon pushtetarët/ 575 zyrtarë dhe politikanë nën

Duhet theksuar se gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka hetuar gjithsej 447 çështje me 212 persona nën hetim për veprat penale në fushën e korrupsionit.

Por ky raport duket se vë në alarm politikën. SPAK ka rritur hetimet kryesisht dhe po ashtu numrin e përgjimeve.

Prokuroria e Posaçme, në kuadër të përmbushjes së misionit të saj themelor, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, përveç vijimit të hetimeve të referuara nga burime të ndryshme si publiku, shoqëria civile, e organe të tjera ligjzbatuese, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë regjistrimit të procedimeve kryesisht. Më konkretisht, gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar si çështje kryesisht 67 procedime penale me 23 persona në hetim, çfarë përbën një tregues pozitiv në rritje të numrit të kësaj kategorie hetimesh, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2022, ku ishin regjistruar 28 procedime penale me 34 persona në hetim”, thekson SPAK.

Më tej bëhet me dije se ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit proaktiv, në rastin e përgjimeve telefonike, por është rritur gjithashtu edhe aplikimi i metodave të posaçme të hetimit si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro i provave materiale, letërporosi, agjentë të infiltruar etj.

Gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 186 procedime penale ku janë interceptuar 3335 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim), ku vërehet rritje krahasuar me vitin 2022. Në vitin 2023, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 109 procedime penale ku janë interceptuar 1436 pajisje fundore, nga 69 procedime penale dhe interceptuar 1023 pajisje fundore, të aplikuara ne vitin 2022”, thuhet në raport.

Tani duket se ka vetë në dorë SPAK se kë do të godasë. Berisha është zyrtari i fundit i lartë, teksa pritet se kush do ta ketë radhën këtë vit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje