TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Prill 2024, 17:20

Rruga e Arbrit e papërfunduar, Dhurata Çupi debat me Ballukun: Mungesë transparence, ku i çuat 360 mln euro?

Shkruar nga Pamfleti

Rruga e Arbrit e papërfunduar, Dhurata Çupi debat me Ballukun:

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku janë përplasur në Kuvend për Rrugën e Arbrit.

Çupi akuzoi qeverinë se vjedh përmes koncesioneve, teksa thekson se janë shpenzuar miliona euro për rrugën e Arbrit dhe ende nuk ka përfunduar.

Deputetja e PD-së tha se koncesioni i rrugës së Arbrit është më i shtrenjti pasi kushton 360 mln euro, ndërsa shtoi se kontrata është fryrë vit pas viti në mungesë të theksuar transparence për shpenzimet e fondeve.

Debati në Kuvend

Dhurata Çupi: Kontrata e Rrugës së Arbrit, për të cilën kam vite që flas është më e shtrenjta, kostoja e saj këtë vit do të rritet me disa miliarda lekë. Investimet në rrugë janë qesharake. Rruga e Arbrit nuk ka mbaruar siç parashikohej në kontratë, por ne vazhdojmë të paguajmë. Mungesë të plotë transparence se ku shkojnë paratë tona. Askush nuk mund të thotë se kur do të përfundojë rruga, megjithëse paratë derdhen lumë nga qeveria për një nga kontratat më të majme.

Belinda Balluku: Jemi të dyja deputete të asaj zone. Ti e di mirë që nuk janë projekte 3D. Dikur të duhej 6 orë të shkoje në zonë, sot shkon për 1 orë e 30 minuta. Rruga e Arbrit është një projekt kompleks. Nëse ne i kemi projektet 3D apo nëse i kemi të vërteta e provojnë dibranët dhe qytetarët e Shqipërisë që po vizitojnë Dibrën duke e kthyer në pikë turistike. Rruga e Arbrit, megjithëse thoni po hidhen para, nuk ka ku hidhen para se është kontratë partneriteti privat-publik 13-vjeçare me një shumë prej 33 miliardë lekësh e cila nuk ndryshon as edhe një qindarkë. Gjeologjisë së tunelit të Murrizit ju kam thënë, të futemi në tunel dhe të shikoni çfarë vepre komplekse është, sa hekur e beton janë hedhur për të mbajtur atë mal argjili dhe kështu është e gjithë zona. Kontrata është lidhur në 2018 dhe do të jetë aktive për 13 vite. Asnjë lek nuk do të paguhet, janë kostot e kompanisë.

Dhurata Çupi: Ajo që mua më vjen keq është se ne këtu në këtë sallë bëjmë debate, Dibra është e varfër, qarku më i varfër prej politikave tuaja, sepse koncesioni që ju përmendët ka filluar me 120 mln dollarë dhe sot ka shkuar 360 mln euro, minimumi. Dibranët e kanë boshatisur Dibrën jo prej lumturisë, por prej varfërisë, ndërkohë qeveritarët futen në burg. Është ironike që ne të dyja të bëjmë debate këtu ndërsa qytetari dibran duhet të jetë shumë i trishtuar.

Lini një Përgjigje