TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Maj 2026, 08:22

Në garë me veten, çfarë pritet nga referendumi për Berishën; sfida e vetme e ish-kryeministrit

Shkruar nga Pamfleti
Në garë me veten, çfarë pritet nga referendumi për
Sali Berisha

Dhe nëse kthehemi pas në kohë, duke iu referuar edhe ‘pendesës’ që deputetëve apo burokratëve partiakë, skema e manipulimit ka qenë e thjeshtë në PD edhe kur formalisht në garë kanë qenë 4 kandidatë...

Anëtarësia e Partisë Demokratike është thirrur sot në një referendum për rikonfirmimin e Sali Berishës si kryetar i partisë më të madhe opozitare. Berisha nuk ka kundërshtarë përballë, ndërsa të paktën 5 emra, mes të cilëve edhe Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, nuk u lejuan të kandidojnë me pretendimet se nuk plotësonin kriteret ose nuk janë pjesë e strukturave të PD-së.

Procesi nis në orën 08:00 dhe zgjat deri në orën 18:00, ndërsa do të votohet në mbi 73 degët e PD-së në të gjithë vendin, edhe pse për asnjë moment, nuk u publikua numri i anëtarëve që do të kenë të drejtën e votës, duke mbajtur ‘sekret’ një nga elementët kryesorë të referendumit.

Berisha është pyetur publikisht lidhur me numrin e anëtarësisë, ndërsa ka shmangur një përgjigje direkte, por u ka bërë thirrje anëtarëve që të marrin pjesë masivisht. Kjo është edhe sfida kryesore që kreu demokrat ka në atë që konsiderohet si referendum brenda PD-së, ndërsa Berisha garon me vetveten.

Kjo është hera e dytë në pak më shumë se 4 vjet që Berisha i kërkon anëtarësisë ta rikonfirmojë, por pa arritur të ndërtojë një garë reale brenda PD-së, që mund të vendoste një standard të ndryshëm nga ai që është aplikuar pothuajse në mbi 90% të të gjitha garave që kjo parti ka zhvilluar nga 1992 deri më sot.

Në 18 dhjetor 2021, Berisha u konfirmua si Kryetar i PD-së me 40 820 vota të anëtarëve, nga 43 680 që u deklaruan se morën pjesë në atë kohë në referendumin e thirrur. Dhe pikërisht kjo mbetet sfida e vetme që ka Berisha në zgjedhjet e sotme, pra a do të arrijë që në proces të marrë aq vota sa 2021?

Në kushtet kur askush nuk mund të kontrollojë sa real është procesi, pasi të gjitha procedurat monitorohen dhe kontrollohen nga besnikët e Berishës, duket një objektiv që edhe nëse nuk arrihet në realitet, do të ‘rregullohet’ në përfundim të procesit. Për të votuar mjafton të kesh emrin në listë dhe listat kontrollohen nga 'besnikët' e Berishës, çka do të thotë se askush përveç tyre nuk mund të dijë saktësisht se sa të rregullta janë ato dhe sa votues mund të 'importohen' nga parti të tjera.

Kjo ka ndodhur edhe më parë, kur fiktivisht në listat e anëtarësisë së PD shtoheshin anëtarë të "përkohshëm" nga ish-LSI e Metës dhe Kryemadhit, për të ndihmuar kapjen e objektivave nga Lulzim Basha.

Ndaj e vetmja vështirësi që mund të kenë ata që merren me procesverbalet është matematika, ose duhet të tregohen të vëmendshëm dhe të mos përsërisin gafat që në jo pak raste kanë nxjerrë zbuluar manipulimin, sa herë që në PD ka pasur zgjedhje.

Dhe nëse kthehemi pas në kohë, duke iu referuar edhe ‘pendesës’ që deputetëve apo burokratëve partiakë, skema e manipulimit ka qenë e thjeshtë në PD edhe kur formalisht në garë kanë qenë 4 kandidatë. Mjaftojnë zgjedhjet e qershorit 2021, kur Lulzim Basha garonte përballë Agron Shehajt, Edit Harxhit dhe Fatbardh Kadillit, që kutitë u mbushën me vota në favor të Bashës, dhe rivalët e tij e mësuan një fakt të tillë disa muaj më pas, pasi Edi Paloka, pohoi publikisht se kishte ndikuar në proces.

Kaq mjafton për të kuptuar se sot ‘besnikët’ e Berishës nuk kanë hallin te rezultati i rikonfirmimit, por te objektivi, për të barazuar rezultatin e 2021 ose për ta tejkaluar atë. Por nëse ndalemi te zhvillimet politike të pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, në jo pak degë të PD-së në rrethe pati një rrjedhje të anëtarësisë nga kjo parti drejt pushtetit të Edi Ramës. Vlora, Fieri dhe Elbasani ishin qytetet ku pas zgjedhjeve pati rrjedhjen më të madhe të strukturave nga PD drejt Rilindjes së Ramës, ndërsa së fundmi janë publikuar mesazhe që kanë nxjerrë në pah që edhe në degë të tjera, prania e emrave në struktura drejtuese është formale, pasi në jo pak raste ato janë në komunikim të vazhdueshëm, me kundërshtarët e tyre politikë.

Berisha u rikthye zyrtarisht në krye të PD-së në dhjetor 2021, përmes një procesi Rithemelimi, që u ‘shit’ si një shpëtim për partinë më të madhe opozitare, por që në fund rezultoi thjesht një proces, ku ish-kryeministri do të merrte kontrollin e çdo qelize në këtë parti.

I vetmi premtim që Berisha u ofron demokratëve është rrëzimi i Ramës nga pushteti, edhe pse në mbi 4 vjet ka dështuar totalisht. Por ish-kryeministri ka deklaruar një tjetër ‘gjetje’ atë të kilometrit të fundit të aksionit opozitar, ndonëse kjo shprehje ka prodhuar jo pak meme në rrjetet sociale.

Procesi për zgjedhjen e kreut të PD-së u çel zyrtarisht në mars, ndërsa për javë me rradhë u mbajtën të bllokuara procedurat, që do të lejonin një garë reale në këtë parti.

Evi Kokalarit, Ervin Salianjit, Alesia Balliut, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt, nuk iu lejua kandidimi, madje disa prej tyre as nuk iu pranuan dokumentet e aplikimit me pretendimet se nuk ishin anëtarë ose ishin vetëpërjashtuar nga gara.

Kjo ka shkaktuar një seri reagimesh. Një pjesë e kandidatëve tentuan të bllokojnë procesin duke iu drejtuar Gjykatës së Tiranës, ndërsa Evi Kokalari, një prej anëtareve themeluese të Komisionit të Rithemelimit, ka zgjedhur t’I drejtohet SPAK-ut, ku të rendisë një seri akuzash jo vetëm për Sali Berishën, por edhe familjen e tij.

Kokalari përdor si argument marrjen peng të partisë që prej Kuvendit më 30 prill 2022 e deri më sot.

Ndërkohë Ervin Salianji është ankuar te Partitë Popullore Europiane me anë të një letre publike ku thonte se Partia Demokratike është marrë peng nga Sali Berisha.

Pas referendumit të sotëm, PD do të mbajë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ku do të miratohen ndryshimet në statut, që me shumë gjasë, do të vendosin edhe më shumë nën kontroll këtë parti nga Berisha dhe familja e tij. /Pamfleti/

 

berisha pd zgjedhje

3 Komente

  1. L
    Lef susta

    Ky plak palaço duhet kap per zhelesh me e qit jashte porte se kurkund snigjo me shku

    1. A
      Argjita Dhipi

      Fajin e ka vetem SPAKU,se perndryshe PD, e transformoj ne SHPK, me gjithe QELBANIKET e tij , PLERA i VICIDOLLIT.

      Lini një Përgjigje