TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Maj 2026, 08:13

Berisha i vetëm në garën e PD, Balliu: Farsë e shëmtuar, ditë e zezë për demokratët!

Shkruar nga Pamfleti

Berisha i vetëm në garën e PD, Balliu: Farsë e

Në prag të zgjedhjes së kreut të ri të Partisë Demokratike, debatet brenda opozitës janë ashpërsuar për shkak të mungesës së garës.

Alesia Balliu, e cila nuk u lejua të kandidonte për drejtimin e PD-së, ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës. Ajo deklaroi se procesi për zgjedhjen e kryetarit është një farsë dhe se Partia Demokratike po humbet mundësinë për t’u kthyer në alternativë qeverisëse.

“Nesër është një ditë e zezë për PD, por edhe për të gjithë shqiptarët. Humb shpresa që Partia Demokratike mund të jetë një alternativë qeverisëse", u shpreh ajo.

Sipas Balliut, dyert e partisë janë mbyllur për demokratët dhe drejtimi i saj po kontrollohet vetëm nga Berisha.

“Sali Berisha e ka kthyer PD në pronë private. Dyert e PD janë të mbyllura", deklaroi ajo.

Balliu komentoi edhe raportin e Berishës me SPAK-un, duke kritikuar sulmet që lideri demokrat ka bërë ndaj Prokurorisë së Posaçme.

“Çfarë modeli pret ti kur kreu i opozitës merr një letër para dhe sulmon SPAK”, tha ajo gjatë intervistës.

Ajo paralajmëroi se beteja për drejtimin e Partisë Demokratike do të vijojë, duke përmendur edhe emrin e Ervin Salianjit.

“Si unë si Salianji do të vijojmë betejën për të marrë Partinë Demokratike. Nuk do ndalemi dhe nuk do të bëjmë pas”, deklaroi Balliu për "Abc News".

“Halli i tij është të tejkaloi rekordin e Enver Hoxhës dhe pastaj s’ka rëndësi ku përfundon PD. Nesër është një ditë e zezë për PD, por edhe për të gjithë shqiptarët, humb shpresa, që PD mund të jetë një alternativë qeverisëse nesër. Dyert e PD janë të mbyllura. Sali Berisha e ka kthyer PD në pronë private. Ditë e zezë për shqiptarët, për demokratë dhe për të gjitha ata njerëz që duan të mundin Edi Ramën.

Çfarë modeli pret ti kur kreu i opozitës merr një letër para dhe sulmon SPAK. Si unë si Salianji, do vijojmë betejën për të marrë Partinë Demokratike. Këtë do ta bëjmë me demokratë, me anëtarë dhe me shumicë. Nuk do ndalemi dhe nuk do na bëjë dot Sali Berisha që të bëjmë pas, Ne nuk do jemi pjesë e farsës së Berishës. Nëse është Saliu kundër Berishës”, tha ajo në fjalën e plotë.

Lini një Përgjigje