Dokumenti 20-faqësh përshkruan një skemë të pretenduar kontrolli politik, manipulimi zgjedhor dhe mbrojtjeje të interesave ekonomike të lidhura me familjen Berisha
Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane dhe anëtare e Komisionit të Rithemelimitt ë Partisë Demokratike, ka publikuar në rrjetet sociale, pjesë nga padia e depozituar në SPAK, lidhur me atë që e konsideron si skema e kapjes së partisë më të madhe opozitare nga Berisha dhe familja e tij. Kokalari shkruan se në SPAK është depozituar padia me 20 faqe, ku ngrihen pretendime të detajuara për ekzistencën e një sistemi të organizuar kontrolli mbi Partinë Demokratike, që lidhet drejtpërdrejt me interesa politike, ekonomike dhe juridike të njerëzve pranë familjes Berisha.
Dokumenti, i shoqëruar me materiale provuese, komunikime elektronike, lista votimi, fotografi dhe pjesë nga dokumente ndërkombëtare arbitrazhi, synon të argumentojë se proceset e brendshme të Partisë Demokratike që nga Kuvendi i 30 prillit 2022 janë manipuluar sistematikisht për të garantuar kontrollin absolut të strukturave të opozitës.
Sipas kallëzimit, ky kontroll nuk ka pasur vetëm qëllim politik, por ka shërbyer si mekanizëm mbrojtës për interesa të mëdha ekonomike dhe për çështje të së kaluarës që lidhen me sektorin e hidrokarbureve dhe kontrata të diskutueshme të naftës.
Si nisi skema sipas kallëzimit
Kokalari me cilësinë e denoncueses, pretendon se pika kyçe e “kapjes” së Partisë Demokratike ishte Kuvendi Kombëtar i 30 prillit 2022, pas rikthimit të Sali Berishës në drejtimin e forcës politike. Sipas saj, menjëherë pas këtij procesi nisi kontrolli i: Këshillit Kombëtar; Kryesisë së partisë; Forumit Rinor të PD-së; Forumit të Gruas; strukturave locale, si dhe procesit të primareve.
Në dokument thuhet se manipulimi i këtyre proceseve ishte thelbësor për të ndërtuar një sistem të centralizuar kontrolli politik. Ajo pretendon se gjithçka është organizuar në mënyrë të koordinuar nga persona të afërt me Sali Berishën dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha.

Pretendimet për manipulimin e votimeve
Një nga pjesët më të detajuara të kallëzimit lidhet me zgjedhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në dokument përfshihen: tabela numerike; lista kandidatësh; komunikime në aplikacione telefonike; udhëzime për votim, si dhe fotografi të skemave të koordinimit.
Sipas kallëzimit, është përdorur një sistem i quajtur “bingo”, ku çdo numër korrespondonte me emrin e një kandidati që duhej votuar.
Në kallëzimin e saj, Kokalari pretendon se delegatëve u janë shpërndarë lista të parapërgatitura; votimi është kontrolluar në mënyrë të centralizuar, si dhe kandidatët fitues janë përcaktuar paraprakisht.
Në material thuhet se këto lista janë hartuar me dijeninë ose me urdhër të njerëzve pranë drejtimit aktual të partisë. Sipas kallëzuesit, kontrolli mbi Këshillin Kombëtar ishte elementi vendimtar për të siguruar më pas kontrollin e plotë të Kryesisë dhe të çdo procesi tjetër vendimmarrës në PD.

Roli i Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas
Në kallëzim thuhet se dy strukturat më të rëndësishme për kontrollin e votës në parti ishin Forumi Rinor i Partisë Demokratike, si dhe Forumi i Gruas.
Kokalari pretendon se këto dy organizata kishin peshë të madhe në përbërjen e Këshillit Kombëtar dhe për pasojë kontrolli mbi drejtuesit e tyre garantonte kontrollin e shumicës së delegatëve. Në dokument përmenden emra funksionarësh të këtyre strukturave, për të cilët pretendohet se kanë koordinuar votat dhe kanë ndikuar në rezultatin final të zgjedhjeve të brendshme. Sipas kallëzimit, pjesa më e madhe e delegatëve të Këshillit Kombëtar janë përzgjedhur përmes këtyre strukturave dhe jo përmes një gare reale.

Akuza për përjashtime politike dhe ndryshime statutore
Një tjetër element i kallëzimit lidhet me përjashtimin e figurave kritike ndaj drejtimit aktual të PD-së. Në dokument përmendet rasti i Evi Kokalarit, për të cilën pretendohet se është skualifikuar nga gara përmes ndryshimeve procedurale dhe interpretimit të statusit të saj politik.
Ajo pretendon se janë ndryshuar kritere në momentet e fundit; janë eliminuar kandidatë që denonconin korrupsionin; janë favorizuar persona të afërt me drejtimin aktual.
Në kallëzim thuhet se këto veprime janë bërë për të ruajtur kontrollin familjar mbi partinë dhe për të shmangur çdo rivalitet të brendshëm.

Pretendimet për ndikimin e familjes Berisha
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit fokusohet në atë që autori e quan “kontroll familjar” mbi Partinë Demokratike.
Në kallëzim thuhet se vendimmarrja reale në PD kontrollohet nga një grup shumë i ngushtë; shumë procese politike miratohen paraprakisht nga njerëz pranë familjes Berisha; strukturat drejtuese funksionojnë si mekanizëm mbrojtës për interesat e tyre.
Në dokument përmendet edhe emri i Argita Malltezit, për të cilën pretendohet se ka pasur ndikim të rëndësishëm në vendimmarrjet politike, pavarësisht mungesës së një roli formal në parti. Ajo përmend gjithashtu pretendime për diskutime të zhvilluara në vitin 2021 mbi mundësinë që Argita Malltezi të merrte rol më aktiv në drejtimin politik të PD-së.

Lidhjet me sektorin e naftës
Një pjesë qendrore e kallëzimit lidhet me koncesionet dhe marrëveshjet e hidrokarbureve të viteve 2006–2007. Kokalari i referohet dokumenteve të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (IÇ Case No. 22676/GR), ku sipas tij përmenden elementë problematikë në procedurat e dhënies së licencave. Në dokumentet e arbitrazhit të bashkëngjitura në kallëzim përmenden: mungesë dokumentacioni të plotë; mungesë eksperience të kompanive përfituese; mungesë negociatash reale; dyshime mbi pronësinë reale të kompanive; favorizim politik në dhënien e licencave.
Sipas kallëzimit, arbitrazhi ndërkombëtar përmend si persona të lidhur me çështjen: Sali Berishën; Argita Malltezin; Albana Vokshin si dhe biznesmenin Arjan Tartari.
Në padinë e saj, Kokalari pretendon se marrëdhëniet personale dhe familjare kanë ndikuar në dhënien e licencave të naftës.

Gjithashtu pretendohet se Albana Vokshi, në kohën kur ka qenë pjesë e bordit të Albpetrolit, ka qenë e përfshirë në procese që lidhen me miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve.
Gjithashtu, në dokument përmendet edhe Argita Malltezi, e cila sipas fragmenteve të arbitrazhit ka ofruar shërbime juridike për kompani të lidhura me licencat e naftës. Në material thuhet se këto lidhje krijojnë konflikt interesi dhe përbëjnë motiv për kontrollin e vazhdueshëm të strukturave politike.
Pretendimet për përdorimin e PD-së si mburojë politike
Sipas Kokalarit, e cila ka bërë edhe kallëzimin në SPAK, kontrolli mbi Partinë Demokratike shërben për: mbrojtje politike; mbrojtje mediatike; kontroll të deputetëve; presion ndaj institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtje nga hetimet e SPAK-ut.
Në dokument thuhet se struktura politike e partisë është përdorur për të mbrojtur interesa private dhe jo për funksionimin normal të opozitës. Autori pretendon se deputetët dhe drejtuesit e partisë janë zgjedhur mbi bazën e besnikërisë dhe jo të meritës politike.
Në kallëzim përmendet edhe ajo që Kokalari e quan “Kulla e Malit”, si pjesë e pazareve politike dhe ekonomike që sipas tij pasuan kontrollin e strukturave të PD-së. Megjithëse dokumenti nuk jep detaje të plota mbi këtë çështje, Kokalari pretendon se marrëveshje dhe interesa të tjera ekonomike janë ndërtuar mbi bazën e kontrollit të partisë.

Në dokumentin e depozituar në SPAK, përmenden disa dispozita të Kodit Penal që sipas kallëzuesit mund të jenë cenuar: Neni 248 – Shpërdorimi i detyrës; Neni 257 – Përfitimi i paligjshëm i interesave; Neni 245/1 – Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm; Neni 25 – Bashkëautorësia.
Deri tani, personat e përmendur në kallëzim nuk kanë reaguar publikisht ndaj pretendimeve. SPAK gjithashtu nuk ka bërë të ditur nëse materiali është regjistruar si procedim penal apo ndodhet ende në fazë verifikimi. Pretendimet e ngritura në dokument mbeten akuza të autorit të kallëzimit dhe nuk përbëjnë prova të provuara ligjërisht apo vendime gjyqësore të formës së prerë. /Pamfleti/
rasini ne burg kete rac te flliqur se qelben pd dhe gjithe opoziten e ba pis. kta ndyrakt berisha ket do bejne se jane lind per me e ba dhe ket din me ba.
Sic dhe e shpjegon shume mire, keto vec demit ekonomik, korrupsionit, hajduterise, deshmojne qart edhe TRADHETIN e Sales, dhe SPAKU, duhet automatikisht te marri ne konsiderate Akuzen e Znj.Kokalari
Kjo ka moralin e atij qe mbeshtet ne USA. Kush me shan e nuk me pelqen i punoj qindin. Na erdhi me palle ne dore ne Shqiperi ne "krah" te Sales e kur nuk i kapi luga filloi ulurimat duke share e akuzuar. Sa mendje lehte, nuk ka aq mend sa te kuptoje qe nuk ka mbatur luge per ta ta fuse ne kazan.