TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Maj 2026, 18:19

“Reforma territoriale e 2014-ës ishte partiake”, Boçi: Duhet autonomi financiare, të merret shembull Kroacia

Shkruar nga Pamfleti
“Reforma territoriale e 2014-ës ishte partiake”, Boçi:
Luçiano Boçi

Luçiano Boçi, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, u shpreh se reforma e re duhet të garantojë autonomi financiare për njësitë vendore, ndërsa mori si shembull Kroacinë. Në këtë kuadër, Boçi tha se Kroacia sot përfiton miliona euro fonde, edhe pse ka mbi 550 komuna, një pjesë e të cilave të vogla.

Ai deklaroi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar dhe se një nga provat më të qarta të këtij dështimi është shpopullimi masiv i zonave rurale.

Boçi theksoi se reforma territoriale nuk është pronë e qeverisë, por e qytetarëve, duke argumentuar se një reformë pa konsultim publik krijon probleme që në themel.

Nëse realizojmë një reformë pa konsultuar qytetarin, atëherë kemi një reformë pa taban, si ajo e vitit 2014”, u shpreh ai.

Sipas Boçit, dëgjesat publike janë instrumente demokratike të domosdoshme për të kuptuar nëse reforma e vitit 2014 ka përmirësuar jetën e qytetarëve, përfaqësimin, shërbimet dhe zhvillimin ekonomik në territore të ndryshme.

Ai ngriti pyetje mbi cilësinë e shërbimeve në Dibër dhe mbi diferencat mes zonave urbane dhe rurale, duke theksuar se Shqipëria ka një territor kompleks dhe problematika të ndryshme nga një qark në tjetrin.

Boçi deklaroi se reforma e vitit 2014 nuk arriti të sjellë autonominë fiskale dhe kompetencat e premtuara për pushtetin vendor, ndërsa prodhoi thellim të pabarazive mes bashkive.

Kush ishte bashki e varfër u bë edhe më e varfër”, tha ai, duke shtuar se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në emigracionin dhe boshatisjen e zonave rurale.

Në fjalën e tij, Boçi e cilësoi reformën e vitit 2014 si një “reformë partiake” dhe jo administrative, duke sjellë si shembull diferencën mes qarqeve të Dibrës dhe Gjirokastrës.

“Dibra ka rreth 150 mijë banorë dhe vetëm 4 bashki, ndërsa Gjirokastra me më pak banorë ka 7 bashki. Kjo tregon se reforma nuk ishte administrative-territoriale, por politike”, deklaroi ai.

Boçi kujtoi gjithashtu se projekti fillestar i reformës parashikonte 47 bashki, ndërsa më pas numri u rrit në 61 për arsye politike.

Ai mbrojti nevojën për rritje të kompetencave dhe autonomisë financiare të pushtetit vendor, forcimin e qarqeve dhe bashkëpunimin ndërbashkiak, në mënyrë që bashkitë më të forta të ndihmojnë ato më të dobëta.

Në fund, Boçi solli si shembull Kroacinë, e cila sipas tij ka 556 komuna dhe përsëri përfiton miliarda euro nga fondet europiane, duke argumentuar se madhësia e bashkisë nuk është kusht për zhvillim apo përfitim fondesh.

Duam bashkëpunim mes bashkive. Një bashki e fortë duhet të ndihmojë një bashki më të dobët. Duam të forcojmë qarqet dhe t’u japim kompetenca reale, sepse kështu mund të zgjidhim problemin e shërbimeve dhe decentralizimit.

Nëse nuk ndërhyjmë, atëherë do të ndihmojmë më tej shpopullimin e vendit.

Po ashtu, nuk duhet të jemi nën trysninë që bashkia duhet patjetër të dalë “me fitim”, sepse bashkia nuk është biznes.

Shteti ka fonde, grante dhe instrumente për të ndihmuar bashkitë.

Kroacia ka 556 komuna dhe merr miliarda euro nga fondet europiane. Pra, numri i bashkive nuk është problemi kryesor”, tha ai.

boci reforma territoriale bashkia

Lini një Përgjigje