Emergjencë për të mbrojtur ministrat, e ka konsideruar Eduart Halimi, nismën e Kryeministrit Edi Rama për të ndërhyrë në Kodin Penal, me synim ndalimin e SPAK-ut që të ketë të drejtën e kërkesave në Gjykatë për të pezulluar anëtarët e Qeverisë nga funksionet.
Në emisionin “Oponencë” në News24, ish-ministri i Drejtësisë tha se kjo ndërhyrje është një presion ndaj sistemit të drejtësisë.
“Neni 242 nuk ndalon pezullimin e ministrave nëse dyshohen për kryerjen e veprave penale. Ajo që po përpiqet Qeveria është ta ndryshojë dhe ti krijojë një mbrojtje ministrave që në rast se dyshohet për një vepër penale ata të mos pezullohen, të vijojnë punën. Por kjo nuk e zhbën faktin që mund të kërkohet masa e sigurisë me burg apo e arrestit të shtëpisë.
Në të gjithë pellgun e Europës Lindore, sa herë që drejtësia godet opozitën, ajo është shumë e mirë. Por në momentin që i afrohet qeverisë, atëherë ndërhyn, drejtësia është e çmendur, ka minj e hiena. Ky ndryshim është emergjencë që synon të zgjidhë një problem dhe kjo paketë që është propozuar nuk e zgjidh problemin që ka për qëllim të zgjidhë qeveria. Është një përpjekje për t’i bërë presion drejtësisë”, tha Halimi.
Lini një Përgjigje