“Elira Kokona është pronarja e të gjitha pronave të shqiptarëve në emër të Edi Ramës, ua merr ato pa asnjë dokument”. Denoncimi u bë nga kreu demokrat, Sali Berisha, gjatë një takimi me demokratët në Sukth, në kuadrin e Foltoreve.
Berisha tha se Kokoka, me urdhër të Edi Ramës po u grabit shqiptarëve pronat njëlloj si në vitin 1946. Madje kreu demokrat tha se pronat po u vidhen pa asnjë dokument.
“Jemi përballur me një diktaturë, e kemi shembur atë në vitin 1990.Tani kemi një të keqe të madhe përpara. Më e keqja e të gjitha të tjerave. Kurrë nuk ka pasur Shqipëria një regjim më shkatërrimtar se ky. Dhe thirrja është, të përballemi me të”, tha Berisha.
Ndërsa akuzoi Ramën se bëri gjithçka, që nga burgosja e liderëve të opozitës, për të marrë mandatin e 4-rt, Berisha tha se shqiptarët duhet të përballen me regjimin e tij.
“Për të marrë me çdo kusht mandatin e katërt, vetëm dy ditë para zgjedhjeve fali 2 miliard euro gjoba dhe kamata. Ky nuk bën zgjedhje. Ky përdor të gjithë pasuritë tuaja, taksat tuaja për të rrëmbyer zgjedhjet. Atëherë, ky ka vetëm një rrugë, ta largojmë dhe vetëm ta largojmë. Të përballemi me të dhe vetëm të përballemi. Çdonjëri prej nesh është në një mision të ri dhe ky është misioni i jetës tonë.
Ky është misioni më i rëndësishëm që secili prej nesh ka pasur në jetën e tij, të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe. Kemi arritur, në qoftë se dy vite më parë besuan dhe menduan se jemi në gropë, gabuan. Ne u ngritëm si Feniksi, ju u ngritët si Feniksi dhe sot ne kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi pasur ndonjëherë nga çdo parti e qendrës së djathtë në botë, 7 rezoluta. Jo vetëm kaq, Edi Rama ka shpenzuar qindra milionë euro lobingje kundër nesh, mashtrime, blerje opinionesh, blerje deklaratash, blerje raportesh, por të gjitha po i përfundojnë në kosh të plehrave. Zhvillimet e fundit shënojnë fundin e tij politik. Sa kohë që të qëndrojë në karrige dhe ai jep dorëheqjen, ai qëndron si kufomë politike. Është në detyrimin tonë madhor ta largojmë një minutë e më parë”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje