Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në foltoren në Sukth se vendi ndodhet në një situatë të rëndë politike dhe ekonomike. Berisha vlerësoi se investimet publike nuk kanë sjellë standarde të qëndrueshme, duke i cilësuar ato si ndërtime që dëmtohen lehtësisht. Ai tha se niveli i korrupsionit në vitet e fundit ka arritur përmasa të paprecedenta.
Ish-kryeministri akuzoi mazhorancën se po ndërmerr hapa për të dobësuar opozitën dhe për të kontrolluar institucionet. Sipas tij, vendi ndodhet në një pikë kritike për funksionimin e demokracisë.
Berisha shtoi se qeveria synon të ndryshojë legjislacionin për të shmangur përgjegjësinë për çështje që lidhen me korrupsionin, duke e cilësuar këtë si një veprim të papranueshëm ndaj qytetarëve.
Sali Berisha: Edhe ato pak punime që janë bërë, janë rrugë kartoni, mure kartoni. Bien të gjitha. Rrugët shemben. Kurrë nuk janë vjedhur shqiptarët si në këto vite. Fryhen kontot bankare me qindra milionë, ndërsa të rinjtë marrin rrugët e dheut. Po bëhet përpjekje për ta lënë vendin pa opozitë.
Këta thonë se do të ndryshojnë ligjin për të mbrojtur veten nga vjedhjet që kanë bërë. Mesazhi i tyre është: do të vjedhim sa të mundemi. Nuk ka provokim më të rëndë. Ky është një akt armiqësor, kur mendon Shqipërinë që po tretet, të sëmurët që japin shpirt pa ilaçe, shkollat në rrënim dhe këta bëjnë ligjin.
Lini një Përgjigje