Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se ndaj opozitës janë ushtruar presione që të mos përdoret termi “narkoshtet” për të përshkruar qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Deklarata u bë gjatë një fjalimi para qytetarëve dhe simpatizantëve demokratë në Kamzë.
Sipas Berishës, këto presione kanë ardhur jo vetëm në formë politike, por edhe përmes lobistëve të lidhur me kryeministrin.
“Ne kemi denoncuar aferat e tyre. Ne kemi denoncuar narkoshtetin. Ka pasur përpjekje të mëdha për të na bërë presione që të mos përdorim termin narkoshtet, përpjekje edhe nga lobistët e Edi Ramës,” u shpreh Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së argumentoi se, sipas tij, përdorimi i këtij termi justifikohet nga pasojat ekonomike që ai ia atribuon veprimtarisë kriminale dhe qarkullimit të parave informale.
Berisha tha se rënia e euros ka dëmtuar rëndë eksportuesit, duke e lidhur këtë fenomen me atë që ai e cilësoi si “narkoeuro”.
“Si të mos e përdorim termin narkoshtet, kur narkoeurot rrëzuan ekonominë? Kur eksportet zhduken njëra pas tjetrës, sepse narkoeurot rrëzojnë euron me 30%,” deklaroi ai, duke shtuar se eksportuesit nuk mund ta përballojnë këtë humbje.
Pjesë nga e Sali Berishës:
Falë punës që u bë në zgjedhjet e 2023-shit, Libri i Zi, edhe ajo vepër e juaja, Edi Rama u fut në rreth të kuq.
Edi Rama e kuptoi me datën 12 maj e kuptoi që e kanë kapur me presh duke vjedhur. Me presh në dorë. U tërbua. Humbi. I thirri dhe i kërcënoi në zyrë të tij kryevëzhguesin, kërcënoi vëzhgues të tjerë të ndryshojnë raportin.
Ata, jo që s'e ndryshuan raportin, por raportin e ridimensionuan shumë më tepër, siç ishte e vërteta. Arritëm një gjë? Arritëm një gjë shumë të madhe. Arritëm t'u faktojmë shqiptarëve, t'u faktojmë komunitetit ndërkombëtar se ky, ato mandate i ka krimi. Se ky nuk ka legjitimitet.
Dhe një qeveri jo legjitime luftohet çdo orë, çdo ditë, çdo javë, gjersa të rrëzohet. Një qeveri jo legjitime nuk, nuk respektohet kurrë. Njerëzit e lirë nuk e respektojnë kurrë. Pra, së dyti, ju jeni dëshmitarë çdo ditë, çdo ditë. Dhe ndonjëherë dhe dy, tre herë në ditë.
Ne kemi denoncuar aferat e tyre. Ne kemi denoncuar narkoshtetin. Përpjekje të mëdha për të na bërë presione që të mos përdorim termin narkoshtet. Përpjekje të mëdha edhe nga lobistët e Edi Ramës. Po si të mos përdorim ne termin narkoshtet?
Kur eksportet zhduken njëra pas tjetrës, sepse narkoeurot rrëzojnë euron. E rrëzojnë me 30%. Po ai që eksporton aq s'e ka fitimin 30%. Dhe ai ka vetëm me euro shkëmben.
Se ato narkoeuro shndërrohen në kulla, gataçel në Tiranë. Dhe kanë shkatërruar tregun. Asnjë i ri i këtij qyteti të bekuar, asnjë i ri i Tiranës nuk mund të mendojë të blejë një apartament për shkak të çmimeve, të cilat janë të barabarta me Mynihun dhe Parisin. Pse? Se është shumë e thjeshtë.
Kullat ndërtohen, vijnë çunat e drogës edhe blejnë katet. I vënë drynin edhe rrinë atje ku janë, në Kolumbi, në Ekuador e të tjerë. Dhe këta këtu nuk ulin çmimet. I vetmi vend në Evropë dhe në botë që ka ndërtime të mëdha dhe çmimet shkojnë gjithnjë duke u rritur.
Atëherë, a nuk është kjo një shkatërrim për vendin? Kur asnjë i ri s'blen dot një apartament? Kur strehimi po bëhet gjithnjë më shumë problem sepse njerëzit nuk kanë, nuk kanë mundësi të blejnë banesa.
Ja pra pse, përveç ndërhyrjes në zgjedhje, por sot, çfarë ka ndodhur tani? Tani fatmirësisht ka ndodhur që ai zëri ynë i vetmuar në shkretëtirë për disa, edhe për vite, po ne nuk u lodhëm. Jo. Ne vazhduam ta denoncojmë narkoshtetin si armik i egër juaj, i qytetarëve.
Tani në çdo takim që kanë me shtetet e, me zyrtarë amerikanë, në krye të axhendës janë klanet e drogës dhe lidhjet me klanet e drogës të Edi Ramës dhe qeveritarëve. Po.
Ja dolëm. Ja arritëm të paraqesim para shqiptarëve dhe botës se 90% e mediave janë nën kontroll qeveritar. Pra, 90% ju mashtrojnë ju çdo ditë nga mëngjesi në darkë. Më keq se në diktaturë.
Absolutisht më keq. Rikujtoj sot atë kohë. Vërtetë televizioni shtetëror nga mëngjesi në darkë mashtronte dhe glorifikonte të keqen, Enver Hoxhën. Po ai ishte. Të tjerët kishin kanaçe, dëgjonin Zërin e Amerikës.
Kurse sot janë pothuaj të gjitha mediat. Janë 43 mashtrues profesionistë, që paguhen për të kaluar nga një studio në tjetrën vetëm për të mashtruar qytetarët. S'ndodh. Nuk ka, kjo s'ndodh kjo kund tjetër. Dhe e gjitha kjo, ata paguhen me para që jua vjedhin qytetarëve.
Te drejte ka,pamvarsisht se eshte bashkpergjegjes e do jape llogari dhe ky ,ne fund edhe oara zotit!