
Deputeti demokrat, Asllan Dogjani duke folur për sherrin e djeshëm në Parlament mes Flamur Nokës dhe Taulant Ballës drejt të cilit u hodh një bidon uji, sipas tij, pati si shkak ndërprerjen e fjalës për deputetët demokratë.
Në një intervistë për “ News24” Dogjani theksoi se përfaqësuesve nuk u jepet fjala ose ndërpriten sapo e marrin atë.
“Parlamenti drejtohet nga Edi Rama. Vetë Rama drejtohet nga mafia kombëtare dhe ndërkombëtare. Aty nuk u intereson asgjë tjetër përveç karriges së pushtetit. Rama vjen në Parlament 1 herë në 6 muaj sa të mos i heqin mandatin e deputetit, se s’ka ça thotë. Ka vendosur një kryetare për t’i ndaluar fjalën opozitës.
Dje kisha një interpelancë dhe në sekondë të ndërpret, ndërhyn për të bërë zhurmuesen që të mos marrin vesh qytetarët. Po flisnim për një vajzë që për shkak të bullizimit në shkollë ajo u vetëvra. Kemi ngjarje kriminale, vrasje mafioze në mes të qytetit dhe në dhomën e gjumit ajo e Mirditës. Edhe kur ndodhin ngjarje kaq të rënda, kryetarja e Kuvendit ndërhyn, urdhërohet nga Rama dhe shkel procedurën në çdo seancë”, tha Dogjani.
Megjithatë deputeti sqaroi se PD do të votojë në seancën e ardhshme ndryshimet në Kodin Zgjedhor për interes të votës së diasporës.
“Ne i kemi kërkuar që të miratohen dhe do të bëhen. Por kemi kërkuar që çdo qytetar që ndodhet jashtë të votojë edhe me pasaportën e shtetit atje ku ndodhet. çdo qytetar që është larguar nuk e ka pasaportën dhe kartën e identitetit shqiptare”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje