TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Shkurt 2025, 12:12

Përplasja SPAK-Polici, Bardhi: Ministri Hoxha gënjeu publikisht, duhet të shkarkohet bashkë me Prodën

Shkruar nga Pamfleti
Përplasja SPAK-Polici, Bardhi: Ministri Hoxha gënjeu publikisht, duhet
Ministri Ervin Hoxha dhe dretori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për përplasjen SPAK-Polici, ku GJKKO që i kërkoi sqarime Policisë së Shtetit pse nuk ishin marrë masat e sigurisë me efektivë në godinën e drejtësisë gjatë 12 shkurtit, kur mbahej masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Bardhi akuzoi për keqinformim dhe gënjeshtër të ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, me deklarimin që bëri në Kuvend, teksa quajti “batakçinj” drejtorët e Policisë Bashkiake dhe punonjësit që u grumbulluan para GJKKO-SPAK, për “të intimiduar prokurorët dhe gjyqtarët”.
Madje ai kërkoi masa me largim nga detyra të ministrit dhe kryepolicit Ilir Proda, deri në ndjekje penale.

“Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij. 

Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për t’i ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit. 

Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje. 

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht. 

E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE!”, shkruan Bardhi.

 

Lini një Përgjigje