TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Mars 2026, 12:56

Mungesa misterioze e klerikëve erdoganistë në iftarin e Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Mungesa misterioze e klerikëve erdoganistë në iftarin e Edi
Edi Rama shtron Iftar /

Klerikë dhe analistë të afërt me linjën erdoganiste mungojnë në eventin e kryeministrit mes tensioneve për Gazën dhe Lindjen e Mesme...

E bojkotuan apo i injoroi? Deri tani asnjëra prej palëve nuk ka treguar arsyet publikisht, por fakt është se në iftarin e Edi Ramës, ku morën pjesë i gjithë trupi diplomatik, politikanë dhe gazetarë të njohur, të ardhur edhe nga jashtë vendit, kishte një mungesë të rëndësishme.

Atje ishin vetëm një grusht klerikësh myslimanë në vend, përkatësisht kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që ishte më shumë një gjest protokollar, muftiu i Tiranës si dhe imami i xhamisë së Dine Hoxhës, Ahmed Kalaja, i cili është i afërt me mjediset e mazhorancës, edhe si pasojë e lidhjeve familjare me eksponentë socialistë.

Ndërkohë një pjesë e rëndësishme e hoxhallarëve, përkatësisht imamëve të xhamive në Tiranë apo në vend, nuk u panë në filmimet apo fotot e shpërndara nga zyra mediatike e kryeministrit.

Një prej klerikëve të njohur në publik, Justinian Topulli, shpërndau publikisht një shkrim ku fliste për këtë mungesë, duke e konsideruar si një qëndrim.

“Myslimanët e këtij vendi, sado që deri më sot mund të jenë tërhequr për hundësh, të paktën një pjesë e tyre, duke u joshur me akrobacitë dhe me retorikën prej snobi të kryeministrit, sjelljet e tij të pështira në krah të kriminelëve sionistë e kanë damkosur atë tashmë keqas mes këtij komuniteti. Sigurisht që edhe skandalet e korrupsionit në qeverisjen e tij kanë rolin e tyre, si tek të gjithë shqiptarët e tjerë, por qëndrimi i turpshëm i tij dhe i qeverisjes së tij ndaj gjenocidit në Gaza, që ka tejkaluar edhe neutralitetin, duke u bërë palë në miratim, kanë tronditur rëndë marrëdhënien e tij me besimtarët myslimanë të kësaj toke”, shkruan Topulli.

Topulli është një klerik i angazhuar kundër autoriteteve në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe një përkrahës i deklaruar i qëndrimeve neotomane të Ankarasë.

Përveç klerikëve, në iftarin e Edi Ramës nuk ishin as një pjesë publicistësh dhe aktivistësh që prej vitesh janë angazhuar kundër qeverisë për çështjet që lidhen me marrëdhëniet me Izraelin dhe konfliktin në Gaza.

Këta publicistë dhe analistë, që dalin vazhdimisht në televizione dhe kanë media të financuara nga rrjete të lidhura me Erdoganin, vitet e shkuara kanë qenë pjesë e iftarit zyrtar të kryeministrit. Këtë herë munguan, dhe mungesa duket se nuk ishte spontane, por kolektive. Thuajse i gjithë ky grup nuk u pa në eventin e organizuar nga Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Deri tani nuk ka një konfirmim të qartë nëse ishte Edi Rama që nuk i ka ftuar, apo nëse ky grup e ka bojkotuar eventin.

Megjithatë gjasat janë që të kenë ndodhur të dyja: Rama mund të mos i ketë ftuar për të treguar një qëndrim politik, por edhe për të shmangur një situatë ku ky grup mund ta bojkotonte publikisht eventin duke e kthyer në një deklaratë politike.

Fakti qëndron, siç thotë edhe vetë teologu Topulli në shkrimin e tij: “Marrëdhënieve flirtuese të Edvin Ramës me myslimanët shqiptarë duket se po i vjen fundi”.

Grupi i ashtuquajtur erdoganist, i cili duhet thënë se nuk ka arritur të krijojë një ndikim të gjerë në masën e praktikantëve myslimanë në vend, gjithsesi e ka ashpërsuar qëndrimin e tij edhe si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Ky grup ka mbajtur një qëndrim të fortë pro Iranit dhe ka sulmuar Izraelin, por edhe SHBA.

Sipas disa vlerësimeve të agjencive ligjzbatuese, nëpërmjet mediave të tyre po përhapen edhe lajme dizinformuese që burojnë nga propaganda e Teheranit, të cilat më pas amplifikohen nga rrjete të ndryshme konspiracioniste që kanë gjetur hapësirë në media.

Këto narrativa nuk përhapen vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin.

Interesant është fakti se kjo mjegull informative nuk shpërndahet vetëm nga rrjetet iraniane, por edhe nga media të lidhura me Ankaranë.

Mediat turke, të cilat shpesh konsiderohen si pjesë e mekanizmave të influencës së politikës së jashtme turke, janë burimi kryesor i këtyre narrativave, ku ndër më të përmendurat është edhe gazeta Yeni Şafak.

Kjo media është shpesh referencë për rrjetet pro-erdoganiste në Shqipëri për zhvillimet në Turqi dhe në Lindjen e Mesme./Pamfleti

mungesa misterioze klerikë erdoganistë iftari i edi ramës

Lini një Përgjigje