TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Mars 2023, 17:04

Mikesha e Salianjit dhe ‘marioneta’ e Niko Peleshit që kandidon për Sali Berishën në Korçë

Shkruar nga Pamfleti

Mikesha e Salianjit dhe ‘marioneta’ e Niko Peleshit që kandidon

Dekanja Ledia Alolli në shkelje të Ligjit për Arsimin e Lartë me bekimet e Rektorit

Kandidatja Alolli po shkel ligjin e arsimit të lartë dhe paligjshmëria në fjalë po shoqërohet nga heshtja dhe mosveprimi i Rektorit Dhimitër Bello, që duket se po aprovon dhe po bëhet palë në shkeljen e ligjit.

Kandidatja për Bashkinë e Korçës Ledina Alolli, prej datës 26 mars është zyrtarisht kandidate e koalicionit Berisha – Meta (BF/PL). Por edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga kandidimi zyrtar dhe regjistrimi në KQZ, kandidatja Alolli vazhdon dhe mban postin e Dekanes së Fakultetit Ekonomik në Universitetin Fan S. Noli të Korçës, duke shkelur kështu haptazi, me vullnet dhe në dije të plotë, ligjin për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë. Aleat dhe bashkëveprues në shkelje të këtij ligji duhet të jetë edhe rektori (ish aktivist i LSI) që teksa nuhat humbjen e sigurt të dekanes për garën e Bashkisë, mendon t’i krijojë komoditetin asaj, për të mos humbur edhe postin akademik.

Ligji Nr.80/2015 “Për arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, në Nenin 5 të tij, pika 3 citon: “Institucionet e Arsimit të Lartë ruajnë NEUTRALITET politik.”

Kandidatja Alolli ka më shumë se 3 muaj që bën fushatë elektorale, menjëherë pas fitores në Primaret e Korçës dhe zyra e dekanatit është shndërruar në zyrë grup seksioni të Foltores, ku hyjnë dhe dalim militantë dhe simpatizantë të partisë, atje zhvillohen edhe takime të gjata politike dhe organizative për fushatën. Këtë e dinë të gjithë në Universitetin e Korçës dhe e diskutojnë të gjithë, por askush nuk e ka fuqinë që ta ndalë këtë veprimtari politike brenda universitetit.

Veç kësaj, nëse ndiqni veprimtarinë elektorale të kandidates në Facebook apo Instagram, nga e hëna në të premte, kandidatja e Salianjit është çdo ditë në lagje dhe fshatra të Korçës, në orë mëngjesi dhe dreke, nën dritën e diellit, duke menduar që perëndimi në muajt janar dhe shkurt vinte që prej orës 17:00.

Të gjitha këto ndodhin në sy të kolegëve të saj, të studentëve, por edhe të vetë rektorit, sepse nuk mund ta besojë njeri që drejtuesi i institucionit nuk njeh faktin që dekanen e ka kandidate politike të Foltores, që kandidatja dekane del në terren në orar të punës dhe bën fushatë dhe kryesorja, që kandidatja dekane duhet të japë dorëheqjen e parakohshme siç parashikohet në ligj.

Në Ligjin për Arsimin e Lartë, Neni 50 mbi “Mbarimin e Parakohshëm të Mandatit të autoriteteve drejtuese dhe anëtarëve të zgjedhur të organeve drejtuese të institucionit publik të Arsimit të Lartë”, Pika 1 / c: “Mandati i autoritetit ose anëtarit të zgjedhur mbaron para kohe në rastet e pamundësisë për të kryer detyrën”.

Ja pra që ligji parashikon dy fakte kokëforta dhe të padiskutueshme, fakte që nuk ka hapësirë për interpretim: e para që, arsimi i lartë ruan neutralitet politik dhe e dyta që nuk ekziston mundësia e kryerjes së detyrës, për shkakun politik. Dy nene që vijë si shkak – pasojë i njëri-tjetrit në rastin e dekanes kandidate. Pra pamundësia për të kryer detyrën buron nga angazhimi politik dhe angazhimi politik e përjashton nga angazhimi në arsimin e lartë. Për këto shkaqe ligji parashikon DORËHEQJEN.

Posti i Dekanes është post i zgjedhur. Ashtu siç kandidatë të tjerë kanë dhënë dorëheqjen nga postet e zgjedhura që mbanin, të njëjtën gjë duhet të bëjë kandidatja Alolli e Korçës. Nëse nuk e jep dorëheqjen, atëherë Rektori Dhimitër Bello duhet ta shkarkojë nga detyra dekanen dhe nëse edhe ky nuk e bën, atëherë Ministrja e Arsimit zj.Evis Kushi duhet të shkarkojë Dekanen dhe të depolitizojë Universitetin e Korçës, që është shndërruar në godinë elektorale për Foltoren.

Dilni në Korçë në mëngjes tek Parku Rinia, përballë Universitetit dhe bëni sehir që të kuptoni çfarë bëhet. Sfidë kjo për gazetarët e Korçës, që duhet të merren me Universitetin, me këtë institucion që ka mbledhur shumë të dështuar profesionalisht, politikanë të papunë, pedagoge dhe pedagogë që hanë nga dy paçe në mëngjes, drekën e konsumojnë me ndonjë viktimë, në ndonjë tavernë me ca gota verë dhe që darkave kapardisen nëpër kafeteri alla frënga nga lekët e provimeve.

Foltorja dhe Berisha i parimeve dhe dogmave ka mbledhur në çanakun e tij politik, në betejën e fundit të jetës së tij, përveç të korruptuarve që i ka tradicionalisht, edhe problematikët e Bashës dhe anti foltoreve, që disa i quajnë Babale, disa sandale, gjithsesi janë njerëz me shumë skandale, e megjithatë kandidojnë për piedestale.

G. T./ Një ish student i Dekanes

ledina alolli mikesha e salianjit 'marioneta' e niko peleshit korçë

Lini një Përgjigje