Të gjithë e mbajnë mend Tik Llallën që dilte nëpër emisione dhe deklaronte se shumë shpejt do të kemi arrestime të bujshme...
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka dërguar sot mesazhe shumë të forta për politikën, duke ua bërë të qartë Edi Ramës, Ilir Metës dhe Sali Berishës se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Deklaratat u bënë nga Shkodra, teksa Dumani mori mbështetje edhe nga amerikanët.
Padyshim mesazhi më i fortë ishte për Edi Ramën. Dumani deklaroi se prej një viti po hetohet dosja “McGonigal” dhe nëse zbulohet që Kryeministri ka bërë shkelje, nuk e shpëton asgjë. Po ashtu për Metën tha se po vijon të hetohet dhe se ka të dhëna sensitive, teksa Berishës ja bëri të qartë se SPAK nuk bie pre e provokimeve sado që të sulmohet.
Një deklaratë e fortë padyshim erdhi nga përfaqësuesi i ambasadës, i cili e cilësoi SPAK-un një xhevahir që duhet ruajtur me kujdes.
“SPAK është i mrekullueshëm dhe i duhet shumë një vendi me korrupsion si Shqipëria. SPAK është i rëndësishëm ndaj edhe e shihni çdo ditë në TV, teksa i referohen mediave dhe politikanëve. SPAK mund të bëjë akoma diçka më shumë, jam i sigurt dhe ne e presim këtë. Ju të rinjtë mund të ndryshoni kulturën bazike të integritetit sepse SPAK nuk mund ta bëjë i vetëm. Ua them me siguri se SPAK e kanë zili shumë shtete të tjera që nuk e kanë si strukturë. SPAK duhet ruajtur si xhevahir në Shqipëri. Është e vërtetë që SPAK është një institucion i mbingarkuar, por me një shoqëri më të mirë situata në vend mund të përmirësohet dhe SPAK mund ta ketë më të lehtë. Korrupsioni është kudo”, tha ai.
Por pyetja që ngrihet është: A do ta mbajë fjalën Altin Dumani apo do të kemi një Adriatik Llalla të dytë? Të gjithë e mbajnë mend Tik Llallën që dilte nëpër emisione dhe deklaronte se shumë shpejt do të kemi arrestime të bujshme. Aq shpesh thoshte Llalla “shumë shpejt”, sa tani përdoret si barsoletë, pasi këtej thoshte do kemi arrestime dhe nga ana tjetër mbyllte dosjet e ministrave dhe deputetëve. Deri diku si ai veproi edhe Arben Kraja. Sa ishte në krye të SPAK, nuk la media pa shkuar dhe gjithmonë thoshte që do japin të gjithë llogari dhe vetëm cironka u arrestuan kur ishte ai Prokuror.
Tani duket se është në test Dumani. Dosja “McGonigal” është një aferë e pastër korruptive dhe do duhet të shihet nëse do të ketë guxim të shkojë te Kryeministri. Sa i takon Ilir Metës, ka 6-7 muaj që thuhet se do të arrestohet, por asgjë. Ai vijon të jetë i lirë. Për Berishën do shihet rezultati kur të shkojë dosja në gjykatë.
Nga ana tjetër, të korruptuarit nuk janë vetëm këta. Ilir Beqaj bredh i lirë, ndonëse Dumani deklaron se të gjithë do japin llogari. Ai është i zhytur kokë e këmbë kudo, por SPAK ka frikë ta arrestojë. Dosja për Olta Xhaçkën ka filluar të zërë pluhur, teksa nuk ka asnjë zhvillim lidhur me abuzimin e fondeve të IPARD. Pra ky vit do jetë një test për Dumanin dhe do shihet nëse do jetë një frymë e re, apo vijon tradita “Llalla”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje