Tentativa për të nxjerrë burimin me anë të presionit apo forcës së ligjit, nuk është gjë tjetër veçse një tejkalim ligjor, e mbi të gjitha një cënim i rëndë i standardeve të lirisë dhe hapësirës mediatike...
Sot ka ndodhur një ngjarje e rëndë, nga ato që në çdo vend demokratik do të konsiderohej një skandal i përmasave të mëdha.
Elton Qyno, një nga gazetarët e njohur, reporter i kronikës, është marrë në pyetje me shtrëngim nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe i është kërkuar me ngulm, të rrëfejë burimin e informacionit.
Natyrisht për një raportim që gazetari kishte dhënë, e ku bënte bujë fuqia dhe sensiviteti i lajmit.
Në një raportim, gazetari mban përgjegjësi vetëm për vertetësinë e lajmit, por kur bëhet fjalë për një zhvillimin sensitiv, ai e mbron burimin, sidomos kur ai është i zbuluar nga shantazhe, sulme apo kërcënime. Gjëra që edhe kanë ndodhur në Shqipëri.
Qyno ka folur mbi dosjen e Nuredin Dumanit, duke dhënë ato informacione që janë bërë publike edhe nga mediat e tjera. Por pas kësaj, agjentët e BKH-së dhe prokurori Behar Dibra i kanë kërkuar Elton Qynos që të bëjë të ditur se kush është burimi i informacionit në fjalë.
Këtu kemi të bëjmë realisht me precedentin e parë, pas idiotësisë së Blerim Celës, kur u arrestua Aleksandër Frangaj.
Një reporter, jo vetëm nuk ka detyrim të bëjë publik burimin e tij, por ka të drejtën për ta mbrojtur atë. Madje ekzistojnë ligje, vendime gjykatash të vendeve të BE-së por edhe të Gjykatës Supreme të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që mbrojnë të drejtën e gazetarit për të ruajtur burimin e tij.
Tentativa për të nxjerrë burimin me anë të presionit apo forcës së ligjit, nuk është gjë tjetër veçse një tejkalim ligjor, e mbi të gjitha një cënim i rëndë i standardeve të lirisë dhe hapësirës mediatike.
Elton Qyno po mbahet në ndalim nga SPAK, kur realisht nuk ka kryer asnjë vepër penale, por thjesht ka bërë atë që bën çdo gazetar i lirë në botë. Mbron dhe nuk shet burimin e informacionit, i cili është bazë dhe pjesë e së drejtës antike.
Edhe në të drejtën zakonore shqiptare thuhet qartë dhe prerë në çdo kanun mesjetar: “Lajmësi nuk ka faj”. Ndaj duhet të reagojnë menjëherë organizatat e gazetarëve e mbi të gjitha ambasada e SHBA dhe e BE. Lironi menjëherë kolegun Elton Qyno. / Pamfleti
Lini një Përgjigje