Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni do të zhvillojë këtë të mërkurë një vizitë blic në vendin tonë.
Shefja e qeverisë italiane do të mbërrijë në Shëngjin rreth orës 11:20 të ditës së sotme.
E vetmja ndalesë në këtë vizitë disa orëshe të sajën në vendin tonë, nga ku do të inspektojë ndërtimin e qendrës së pritjes të emigrantëve në Shëngjin, sikurse, do të shikojë edhe procesin e ndërtimit të ambienteve akomoduese në Gjadër.
Kryeministria Meloni do të shoqërohet nga një numër i madh gazetarësh italianë.
Meloni dhe kryeministri Edi Rama pritet nga Shëngjini të japin një konferencë për shtyp në orën 12:00.
Synimi i qeverisë italiane për hapjen e kampeve të emigrantëve në Gjadër ishte që këto objekte të hapen deri më 20 maj të këtij viti. Megjithatë, duket se ky synim nuk do të realizohet, sipas të përditshmes italiane La Repubblica, që si afat jep datën 10 nëntor.
Në portin e Shëngjinit dhe në ish-bazën ushtarake të Gjadrit punimet janë në hapat e para dhe po kryhen inspektimet të cilat po nxjerrin në pah edhe një sërë vështirësish në zonë. Është e pamundur që qendrat të jenë gati deri në maj, pasi do të duhen edhe më shumë muaj punë.
Sipas medias italiane, kostot për qendrën në Shqipëri vazhdojnë të rriten dhe rrezikojnë të arrijnë shifrën rreth një miliardë euro në pesë vjet.
Një nga tre strukturat e planifikuara do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit. Pas zbarkimit që do bëhet në Shëngjin, emigrantët do të spostohen në dy strukturat e tjera që po ndërtohen në Gjadër.
I gjithë perimetri do të rrethohet nga një mur afro 7 metra i lartë që do të shërbejë për të rritur sigurinë, pasi fare pranë kampit ndodhen edhe banesat e fshatit Gjadër dhe Kakarriq.
Lini një Përgjigje