
Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj në seancën e djeshme në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka ngritur disa pikëpyetje të forta lidhur me arsyet që sollën arrestimin e tij të nxituar.
Veliaj i është drejtuar prokurorit të dosjes, Ols Dado, duke e akuzuar se e ka burgosur për arsye politike, në një kohë kur vendi po shkon në fushatë zgjedhore dhe ai është Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës.
“Më burgosët në mes të fushatës dhe ky është një akt i pastër politik”, mësohet të ketë thënë Veliaj, raporton “Shqiptarja”.
Më pas ai ka shtuar: “Më nxorrët me dhunë nga fushata. Por, unë jam më i lirë se ju sepse ju burgosjen e keni në kokë. Unë nga dritarja e qelisë time shikoj shkollën “Jeronim de Rada”, të cilën e kemi rindërtuar me Bashkinë e Tiranës, është një ndër mijëra veprat e mia, që kam bërë në këtë qytet. Kurse ju nga dritarja e zyrës tuaj shikoni burgun”.
Veliaj ka shprehur habinë edhe për arsyet e ndalimit të tij dhe se për këtë nuk ka pasur asnjë sqarim.
“Në 11 orë seancë, ende nuk e di pse kam arrest me burg; ende nuk e di pse jam këtu. Nuk ma keni shpjeguar”, ka thënë më tej Veliaj.
Lini një Përgjigje