
Në rubrikën ‘Sy m’sy’, Kryeministri Edi Rama i cilësoi si dokrra dhe broçkulla partish debatet lidhur me mbylljen e TikTok. Rama tha se fëmijëve të Shqipërisë duhet t’i japim pasaportën e BE-së dhe jo TikTok.
Duke shfrytëzuar çdo moment për propagandë dhe shoë, sikundër duke bazuar fushatën për 11 majin te anëtarësimi i vendit në BE, Rama theksoi se se nuk bëhet fjalë për interesat e tij personale, por për një çështje shumë më të madhe, atë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryeministri shtoi se ky është një moment historik dhe se Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësinë për t’u integruar në BE, duke vijuar se fëmijëve shqiptarë duhet t’u sigurohet pasaporta e BE, jo TikTok-u.
“Këtu nuk bëhet fjalë për mua, por për diçka më të madhe. Bëhet fjalë që fëmijëve të këtij vendi ti japim pasaportën e BE, jo TikTok-un.
Duhet kapërcyer mbi partitë dhe dokrrat, pakënaqësitë dhe broçkullat.
Është një moment në histori që treni i historisë ka ndaluar para nesh e duhet ta kapim, kush e kap atë shkon para, kush kthehet në anën tjetër dhe ia fut gjumit e humbet këtë tren”, tha ai.
Rama theksoi se pasaporta europiane do të ofrojë mundësi për punësim dhe shërbime shëndetësore në çdo vend të BE-së, si dhe ftoi qytetarët të mbështesin qeverinë në zgjedhjet e 11 majit që sipas tij, janë të rëndësishme për finalizimin e negociatave për integrimin në BE deri në vitin 2027.
“Marrja e pasaportës europiane, të gjithë duhet ta kemi parasysh është shumë më tepër se lëvizje e lirë. Sot kemi pasaportë që na lë mundësi të lëvizim por jo të ndalojmë. Pa hyrë mirë akoma na pyesin në aeroport kur do të ikësh.
Jemi qytetarë të dorës së dytë. Pasaporta europiane na bën qytetarë të dorës së parë sepse nuk ka më kufi dhe nuk hyjmë më në radhë. Mund të kërkojmë punë ku të duam dhe nëse kemi një shërbim shëndetësor mund ta marrim njëlloj si qytetarët e atij vendi ku shkojmë. Nëse bëhemi bashkë më 11 maj, në 2027 janë në fund negociatat. Duhet të marrim një mandat të fuqishëm më 11 maj”, tha ai.
Lini një Përgjigje