Nga momenti që Presidenti Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë janë disa qindra pozicione në administratën amerikane, përfshi edhe pozicionet diplomatike, që presin emërim
Shqipëria është një nga shtetet ku Presidenti i SHBA-së Donald Trump i duhet të emërojë ambasadorin, pozicion i mbetur vakant prej më shumë se 1 viti.
Kandidatura e David Kostelancik, një diplomat karriere, i propozuar dy herë nga ish-Presidenti Joe Biden, nuk arriti të kalonte në Komitetet e Senatit.
Më saktësisht ai u bllokua nga senator republikanë, mbështetës të Trump, të cilët ngritën disa pyetje lidhur me qëndrimet e diplomatëve që ishin nominuar si kandidatë në raport me LGBTQ+, gjinitë dhe ccështje të tjerë të kësaj natyre.
Nga ky moment, shumë nga diplomatët, përfshi edhe të nominuarin në Shqipëri, u bllokuan dhe pozicionet ngelën bosh.
Po kush pritet të jetë ambasadori/e në Shqipëri që do të caktohet nga Trump?
Në përditësimin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se pozicioni për Ambasadorin e ri të SHBA në Shqipëri është vakant.

Kjo do të thotë se procedurat për zgjedhjen e tij do të rinisin nga e para. Dhe me shumë gjasë, ndoshta emri që do të propozohet nuk do të ketë lidhje me kandidaturën e Kostelancik.
Nga momenti që Presidenti Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë janë disa qindra pozicione në administratën amerikane, përfshi edhe pozicionet diplomatike, që presin emërimet. Një pjesë e tyre konsiderohen si emërime politike, të tjera janë pozicione bazuar në karrierën e të nominuarve.
Ajo që dihet deri më tani në rastin e Shqipërisë është fakti se ende nuk ka një kandidat të nominuar, i cili më pas do t’i nënshtrohet seancave dëgjimore dhe në fund të marrë miratimin. Një proces që ndoshta mund të zgjasë edhe disa muaj, ndërsa në raportimet zyrtare vendi i Ambasadorit të SHBA në Tiranë konsiderohet ‘vakant’.
Kjo do të thotë se ndoshta deri në maj, kohë kur në Shqipëri mbahen zgjedhjet parlamentare, por edhe më vonë, Ambasada e SHBA në Tiranë, do të vijojë të drejtohet nga e dërguara me punë, Nancy Van Horn, e cila po mban një profil të ulët, veçanërisht në raport me zhvillimet politike në vend. Referuar faktit se procedurat e emërimeve të ambasadorëve zgjasin disa muaj, e vetmja mënyrë e shpejtë mbetet emërimi i një të dërguari/e të ri me punë në Shqipëri, nëse administrata Trump, do të tentojë ndryshimin në ambasadën në Tiranë.
Nga momenti që administrata Trump është vënë në funksion janë shpallur 13 diplomatë për poste ambasadorësh të SHBA në vende ose në organizma të ndryshme, ndërkohë që janë emëruar 18 ambasdadorë dhe një tjetër është njoftuar për të marrë detyrën.

Në mandatin e tij të parë si President, Trump propozoi për ambasadore të SHBA-së në Tiranë, Kathleen Ann Kavalec. Por kandidatura e saj në atë kohë u bllokua në Senat, pothuajse me të njëjtën procedurë sikundër i ndodhi Kostelancik. Dhe pas tërheqjes së Kavalec në Shqipëri u emërua si ambasadore Yuri Kim, që nga politika shqiptare do të mbahet mend gjatë, për qëndrimet e mbajtura dhe gjuhën e ashpër të përdorur. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje